E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pronësia e tokës në Zvërnec, marrëdhënie private

TIRANË, 11 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se çështja e pronësisë së tokës në Zvërnec është komplet marrëdhënie private.

Në një intervistë për “Flasim Shqip”, Rama theksoi se “kontrolli i njeriut që po shiste tokën nuk bëhet asgjëkundi”.

Ndërkohë lidhur me këtë çështje, Rama tha se SPAK-u është në punën e vet dhe po ashtu edhe qeveria dhe pronarët”.

“Pra, janë në procese gjyqësore që ata mund të vazhdojnë. Ndërkohë që SPAK-u, në këtë rast, nuk e ka vënë në diskutim transaksionin e bërë, sepse s’ka si ta vërë. Transaksioni është kryer. Pronarët e regjistruar sot në Kadastër janë ata, investitorët. SPAK-u ka bërë diçka tjetër, ka krijuar një konto të ngrirë, që do të thotë që lekët për subjektin e dyshuar nuk i merr subjekti i dyshuar deri kur të zbardhet komplet çështja në gjykatë. Lekët do rrinë aty”, sqaroi Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se në historinë e Zvërnecit nuk ka asnjë para kriminale, nëse bëhet fjalë për investitorët.

“SPAK-u ka vepruar në mënyrë shumë inteligjente në këtë rast. Pra, SPAK-u nuk e ka penguar transaksionin që të ndodhë. SPAK-u e ka pranuar transaksionin, sepse është shitje në mirëbesim dhe personi nuk është i gjykuar si falsifikator, është i dyshuar”, shtoi Rama.

Ndërkohë, Rama tha se nëse gjykata e nxjerr falsifikator Artur Shehun, këto para i merr shteti shqiptar.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›