Rama: Pseudo primaret e kënetës në Kavajë, tallje me demokratët

TIRANE, 16 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste solli mbrëmjen e sotme nv vëmendje se “sa e do Kavajën PS e tregonin deri tani shumë punët e bëra, të cilat e rilindën qytetin e harruar për dekada nga PD”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama përcolli posterin e një demokrati kavajas i sapo bashkuar me skuadrën e PS-së në Kavajë.
“Por sa e do Aleanca për Kënetën Madhështore Kavajën, e tregojnë dy pamjet e këtij posteri që një demokrat kavajas, i sapobashkuar sot me skuadrën e Elisës atje, ma coi me lutjen për ta postuar”, shkroi Rama.
“Ne i kemi dhënë Kavajës kryetaren e Kuvendit, kryeministrin e Luftës së Kosovës dhe një vajzë e një djalë të zonës, prej të cilëve dy gratë janë në listën e mbyllur, pra faktikisht 2 deputete për Kavajën dhe Shqipërinë 2030”, u shpreh Rama.
“AKM-ja i ka lënë Kavajës vetëm Bufin e Kënetës, që kavajsit i shikon nga tribuna njëherë në katër vjet, kur shkon te sheshi i demokracisë sa për të ngritur dy gishtat e humbjes së radhës”, vijoi ai.
“Ndërsa kryetarin e partisë atje, kavajsin e votuar nga kavajsit në ato pseudo primaret e kënetës – një tallje e hatashme me miletin demokrat – e kullufiti Bufi bashkë me një dynja demokratësh të tjerë, që kujtuan të shkretët se u bë këneta kos dhe erdhi dita e tyre përmes votës së lirë në mbretërinë e Bufit”, përfundoi Rama.

