E Hënë, 2 Nëntor 2026

“PS ka shënuar rritje, Devolli histori suksesi”, Peleshi: Synojmë 7 mandate në Korçë, opozita shumë e dobët

Drejtuesi politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi ditën e sotme ka prezantuar dy prej kandidatëve për deputetë të listës me 13 kandidatë, 3 në pjesën e mbyllur dhe 10 në pjesën e hapur.

Peleshi tha se PS synon të marrë 7 mandate në qarkun e Korçës. Ndërsa Devollin e cilësoi një histori suksesi, pasi siç tha Peleshi, PS ka shënuar rritje vit pas viti.

Peleshi: Së pari, do të bëj sot në Devoll prezantimin e dy prej kandidatëve për deputetë të listës sonë. Lista jonë ka 13 kandidatë, 3 në pjesën e mbyllur dhe 10 në pjesën e hapur. Dy djem të jashtëzakonshëm, të shkëlqyer të Devollit, janë një në listën e mbyllur dhe një në listën e hapur. Bëmë këtë zgjedhje sepse kemi vendosur që Devollit t’i japim pikërisht 2 kandidatë, sepse pa dyshim ka shumë simbolikë brenda.  Devolli është një zonë, një krahinë me shumë vlera për qarkun tonë. Besoj është krahina më punëtore në Shqipëri. Ka njerëz të shkëlqyer, ka histori, ka traditë. Dhe meriton që t’i ngrejë kokën. Të kuptuarit të vlerësohet përmes 2 figurave, 2 djemve të rinj, që e kanë treguar veten e vet, njëri në punën politike, për disa fushata dhe tjetri në punën e vet profesionale, përmbi të gjitha në kontaktet me njerëzit.

Janë njerëz të mirë të Devollit, që gëzojnë respekt dhe reputacion për të gjithë, dhe pa dyshim ne do zgjedhim t’u japim dhe rezultat. E filloj nga Devolli, sepse Devolli është një histori suksesi. Devolli, Partia Socialiste, nga fushata në fushatë, nga zgjedhje në zgjedhje, ka shënuar rritje, dhe ne këtu kemi fituar, për herë të dytë bashkinë Devoll. Natyrisht që do të jemi fitimtarë edhe në maj, duke arritur objektivin tonë për 7 deputetë, sot jemi 6 deputetë, të synojmë të rritemi, por edhe për hir të qytetarëve të Devollit në qytetet dhe në fshatrat, të cilët meritojnë, të përfaqësohen me figura dinjitoze, në një zonjë e cila ka nxjerr edhe shkrimtarin e madh Dritëro Agollin. Ndaj dhe ne përmes fillimit të prezantimeve nga Devolli, përmes simbolikës që kjo mbart me vete, duam ta themi këtë mesazh lartë edhe pa luhatje të pretendojmë për të marrë mbështetje masive në Devoll.

U ndal edhe te kundërshtarët politikë gjatë fjalës së tij. Peleshi tha se nuk ndjek zhvillimet brenda partive opozitare dhe theksoi se PS nuk matet me hijen e kundërshtarit, por me objektivin dhe qëndrimet e saj.

Peleshi: Edhe pyetjen e parë ma bëtë lidhur me kundërshtarët. Unë nuk kam pse të ndjek se si shkojnë zhvillimet brenda tyre, as nuk kam pse të komentoj listën e tyre. Këtë nuk e them vetëm për mungesë modestie, por e them për hir të së vërtetës. Ne nuk matemi me hijen e kundërshtarit, matemi me objektivin tonë dhe me qëndrimet tona.

Pavarësisht se do të donte një opozitë të fortë, Peleshi tha se aktualja është shumë e dobët dhe ky nuk është një lajm i gëzueshëm.

Peleshi: Pa dyshim që e vlerësoj të dobët, shumë të dobët, opozitën. Ky nuk është një lajm shumë fantastik dhe i gëzueshëm. Unë do të doja që të kishim një opozitë të fortë. Opozita e fortë të bën më të mirë, të bën të zbulosh më shumë potencial brenda vetes. Por, siç thashë, nuk merrem me opozitën. Unë nuk jam marrë me opozitën, as në të kaluarën, as gjatë fushatës, edhe kur toni dhe temperatura politike rritet, edhe kur fillon ajo faza e sulmeve, shpifjeve, akuzave e të tjera. Jam munduar që, pa u dukur i dobët, t’i lë mënjanë dhe të shikoj përpara.  Kështu do të ndodhë dhe këtu në Devoll. Nuk merrem fare majtas-djathtas, merremi vetëm me sfidat, me nevojat, me problemet dhe me angazhimet që duhen për Devollin. Do të marrim përsipër detyrimet ndaj qytetarëve, si në qytete ashtu edhe në fshatra, dhe do t’i bëjmë realitet pasi të fitojmë mandatin e katërt.

Më tej, Peleshi shtoi se do të punojnë fort për të marrë 7 mandate, nga 6 që ka aktualisht PS në qarkun e Korçës.

Peleshi: Ne sot jemi 6 deputetë dhe, në garë, të paktën unë, por edhe Partia Socialiste dhe kolegët e mi, nuk kemi hyrë ndonjëherë për barazim. 6 është barazim, 7 është fitore.Pa dyshim, një fitore jo e lehtë, pasi kemi një diferencë prej katër mandatësh me opozitën, por ne e synojmë dhe do të punojmë për këtë objektiv. Dhe, për hir të së vërtetës, nuk jemi shumë larg, duke marrë parasysh edhe faktin që këtë herë, për herë të parë, kemi dhe votën e diasporës, ku jemi të bindur se, kur të hapen kutitë, do të kemi një avantazh të konsiderueshëm./vizionplus.tv 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›