E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria e vendosur të hapë të gjitha dyert e nevojshme për investitorët

TIRANE – Kryeministri Edi Rama thekson vendosmërinë e qeverisë së tij për të krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme për investitorët e huaj në Shqipëri. I pranishëm në ceremoninë e themelimit të Dhomës Tregtare Kinë-Shqipëri, kryeministri Rama shprehu vullnetin e qeverisë “për të hapur të gjitha dyert e nevojshme të gjithë atyre që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri”.

Sipas Ramës, “Dhoma e Tregtisë Kinë-Shqipëri do të jetë një pikëtakimi shumë e vlefshme për protagonistët e zhvillimit të vendit, dhe një pikë takimi mes investitorëve dhe qeverisë sonë për të bërë gjithçka kemi në dorë që rrugëtimi i tyre në Shqipëri të jetë sa më i lehtë dhe nga ky rrugëtim të përfitojnë qytetarët dhe ekonomia e këtij vendi.”

Më tej Rama përshëndeti ambasadorin e Kinës në vendin tonë për realizimin e këtij projekti.

“Përshëndes ambasadorin e Kinës për ngulmimin e tij për realizimin e këtij projekti dhe përkushtimin dhe gatishmërinë që ai tregon për të fuqizuar marrëdhëniet tona. I uroj çdo të mirë të gjithë nismëtarëve dhe realizuesve të këtij projekti, i uroj sukses kësaj dhome tregtie të shumëpritur në mjedisin e ekonomisë shqiptare”- deklaroi Rama.

Nga ana e tij ambasadori kinez shprehu bindjen se Dhoma e Tregtisë do të shndërrohet në një urë lidhëse për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për thithjen e sa më shumë investimeve në Shqipëri.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›