Rama: Reduktimi i marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, shqetësues. Serbia s’ ka fuqi të kërcënojë Prishtinën

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve. Rama u shpreh se tonet ultimative të aleatëve, mund të sjellin pasoja tejet negative për Kosovën, duke filluar nga ulja e kapacitetit sovran të saj.
Sipas kreut të qeverisë, reduktimi i marrëdhënieve të Kosovës me aleatët, do hapte rrugën për kalimin e veriut nën kontrollin e trupave të huaja, gjë që sipas Ramës do të ishte e tmerrshme nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë.
“Jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe tonet ultimative të aleatëve, gjë që mund të sjellë pasoja shumë negative në shumë aspekte, duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës.
Ose gjë që do të thotë, humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vetë institucionale, duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja, që do ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona.
Jo për ato që proklamohen si kërcënime ndaj Kosovës. Kosova ka që në ‘99 që nuk është nën kërcënim. Kërcënimi është në mendjet e politikanëve në Kosovë, dhe një mënyrë për të bërë politikë të brendshme, duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Në ‘99 Serbia e humbi përfundimisht Kosovën dhe nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës as një fije floku. Këtë e di kushdo që e sheh situatën pa interesa elektorale brenda Serbisë apo Kosovës”, tha Rama.
/rtsh.al/