E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Referendum për plehrat, sistem të ri taksash. Kush fiton shumë, paguan më shumë

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen me grupin parlamentar të kësaj force, tha se opozita do kërkojë referendum kundër importit të plehrave. Ne jemi kundër importit të plehrave, shoqëria civile është kundër, qytetarët po ashtu. Le të eksplorojmë mundësinë për një referendum popullor për këtë çështje, tha Rama, që zbuloi se PS po përgatitet për këtë kërkesë.
Sërish kryetari i PS këmbënguli për kërkesën për uljen dhe heqjen e TVSH për disa produkte.
Duhet të ngremë fort zërin për heqjen e TVSH-së për bukën, vezët, qumështin dhe ilaçet. 20 përqind e çmimit të çdo kafshate bukë, kokrre veze apo aspirine, nuk e merr dyqani, por e merr Saliu.
Eduard Zaloshnja ka shpjeguar se të paktën për bukën barra reale që qeveria ngarkon është mbi 20 përqind. Për çdo bukë Saliu merr 230 lek taksë. Kjo nuk ka kuptim ndaj duhet të ngremë zërin fort. Po ashtu do kërkojmë reduktimin e TVSH për energjinë. Berisha u ka premtuar atyre 6 përqind, por ua bëri 20 përqind. Ne mendojmë se shifra 6 përqind është e mundur, tha Rama.
Kreu i PS zbuloi se në Kongres do prezantohet platforma politike e PS. Një nga propozimet e PS do jetë ndryshimi i mënyrës së taksimit sipas parimit Kush fiton shumë, paguan më shumë.
Falë angazhimit 7 mujor, jemi në përfundim të projektit tonë për propozimet tona politike në rrugëtimin tonë drejt zgjedhjeve dhe dallimet mes nesh dhe atyre që qeverisin Shqipërinë me vjedhje votash, tha Rama.
Do vendosim në themel të sistemit të taksimit parimin kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kemi alternativë për sistemin shëndetësor e arsimor, për pronën publike dhe private, kemi alternativë të re për administrimin e territorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›