Rama: Regjistrimet për arsimin profesional përmes e-Albania

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Arsimi profesional konsiderohet si rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria shqiptare po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi regjistrimet në arsimin profesional, të cilat tani kryhen përmes e-Albania, në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”.
“Zgjidhni mes një nga 22 drejtimeve për një arsim dinamik, përfshirës dhe plot mundësi. Klikoni në faqen www.aftesi.al”, u shpreh Rama, krahas videos.
Disa ditë më parë, kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e një epoke të re në arsimin profesional me krijimin e Arsimit Profesional Dual, i cili krijon mundësi që nxënësit të mësojnë pranë sipërmarrjeve.
Si një kërkesë e vazhduar nga biznesi, Arsimi Profesional Dual, një sistem arsimor me bazë punën në biznes në mbështetje të sektorëve prioritarë ekonomikë, bazuar në modelet më të mira të vendeve të zhvilluara si Zvicra dhe Gjermania, do fillojë të implementohet nga ky vit.
Sistemi i arsimit dhe formimit profesional publik përbëhet nga 41 institucione nga të cilat 31 shkolla profesionale dhe 10 qendra formimi të cilat ofrojnë kualifikime profesionale të mesme pas të mesme dhe afatshkurtra, për të gjitha moshat./m.m/