E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Rritja e pagave nuk mjafton, bizneset duhet të investojnë tek burimet njerëzore

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim”, përballë profesorit dhe drejtuesit të Universitetit Europian të Tiranës, profesor Selami Xhepës, foli edhe për rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor në biznesin në vend, ku pjesa e rritjes së pagave është vetëm njëra anë e medaljes.

Xhepa u shpreh se të gjithë duan paga më të larta por kjo bëhet duke punuar më shumë që të ndash më shumë.

Sipas tij, nëse nuk prodhon më shumë nuk ke çfarë të ndash. “S’mund të ketë indeksime, rritje të mirëqenies pa prodhuar më shumë dhe që të ndajmë edhe më shumë”, u shpreh Xhepa.

Kryeministri Rama tha se krijimi i kushteve për trajnim dhe edukim të vazhdueshëm të burimeve njerëzore në kompani të ndryshme është një mundësi e mirë për të investuar te punonjësit.

“Biznesi po ndërgjegjësohet që burimet njerëzore janë A-ja dhe Zh-ja dhe gërmat e tjera janë në mes. Sepse kanë bërë investime në infrastrukturë, logjistikë, në jetën e tyre dhe gjithmonë punonjësin e kanë parë si “Aty e kemi”. Tani që është bërë më e vështirë për t’i mbajtur njerëzit dhe më e vështirë për të gjetur njeriun e duhur për punën e duhur e kanë kuptuar dhe kanë rritur pagat. Nuk është çështja vetëm te rritja e pagave, por duhet bërë një punë e madhe për t’i sensibilizuar se nuk është thjesht çështja te rritja e pagës, por te krijimi i kushteve për trajnim dhe edukim të çdo burimi”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri Rama bëri me dije se në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkim Evropian, pjesa e biznesit mbetet ajo më sfiduesja.

“Ajo që po shohim në këtë ngut për t’u anëtarësuar, është që pjesa e biznesit është më sfiduese. Institucionet kanë një lloj rutine, do bëhet kjo dhe ajo, ndërsa biznesi duhet të aktivizohet shumë për të mos u gjendur në cunami. Biem në situatën e “mbytjes me një lugë ujë” me disa që e quajnë veten ekspertë dhe kanë akses në publik dhe bëjnë këtë teorinë: Mos bëni një rrugë këtë vit dhe rrisni pensionet, pagat. Kjo është një nonsens në vetvete, sepse nëse ti nuk zhvillon dhe prodhon më shumë, ti mund t’i rrisësh pagat sot, po nesër, po pasnesër?”, tha Rama.

Profesori Selami Xhepa solli shembullin e Greqisë duke u shprehur se: “për motive politike, sa herë shkonin në zgjedhje krijonin një ndërmarrje, në fushatën tjetër dyfishonin ndërmarrjen, në tjetrën e trefishonin ndërmarrjen dhe më shumë ndërmarrjen, rrisnin rrogat vazhdimisht dhe u prodhua që sektori publik kolapsoi. Ligjsitë e zhvillimit ekonomik janë si ligjet e natyrës, nuk mund t’i shmangim dot. Duhet të ndryshojë qasja dhe të ketë kulturë tjetër në raport me mënyrën se si duhet ta shikojnë ata qëndrueshmërinë e tyre në afatin e gjatë. Nëse nuk i kuptojnë që tani këto sfida do të jetë shumë e shpejtë dita që do të përballen me cunamin dhe kjo është një problem për ekonominë dhe shoqërinë tonë pastaj”.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›