E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritje pagash për Policinë dhe investim 167 mln euro në Fondin e Pensioneve

Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim”, njoftoi se rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët shërbejnë në vijën e parë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page.

Rama theksoi se kjo rritje shkon paralel me investime në teknologji, trajnim dhe pajisje, duke synuar forcimin e rendit dhe një vlerësim më të drejtë të punës së efektivëve.

“Rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page. Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët.

Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro.

Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve”, theksoi ai.

Ai gjithashtu njoftoi se fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025, në një shumë prej 167 milionë euro, janë depozituar në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe me çka jemi zotuar për gjyshet dhe gjyshërit e kësaj republike.

Sikundër e kishim paralajmëruar, fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 do të  depozitoheshin në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, gjë që sapo është bërë në një shumë prej 167 milionë euro.

Transferimi i këtyre 167 milionë eurove në këtë fond e rrit kapacitetin e sistemit për të përballuar, qoftë ato që janë zotime të marra gërmë për gërmë, shifër për shifër dhe muaj për muaj e vit për vit ndaj pensionistëve, por edhe  detyrimet afatgjata duke garantuar kështu rritjen e premtuar të pagave mujore për pensionistët, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›