E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Rruga VIlahinë-Poçem në Selenicë, ndikim në zhvillimin e agroturizmit

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Ndërtimi i rrugës Vllahinë-Poçem pritet të sjellë një zhvillim ekonomik dhe turistik për të gjithë zonën.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga kantieri i punimeve në rrugën Vllahinë-Poçem, në Selenicë.

“Kantieri i punës së rrugës Vllahinë – Poçem në Selenicë, një investim domethënës që lidh zonën e Gjirokastrës dhe Mallakastrës me Lumin e Vlorës, duke hapur edhe një tjetër hapësirë të re të hartës së mrekullive të trupit të Shqipërisë për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit”, u shpreh kryeministri në rrjetet sociale.

Segmenti rrugor Poçem-Vllahinë, nis në rrugën nacionale Levan-Tepelenë dhe përfundon në fshatin Vllahinë, lidh qarqet Fier edhe Vlorë, por ka shumë vlerë turistike, për shkak se lidh tre prej diamanteve të arkeologjisë shqiptare, Bylisin, Amantian dhe Apoloninë.

Është vlerësuar edhe si një rrugë e nevojshme ekonomike, sepse Gorishta është prodhues i madh i naftës. Ndërkohë lidh Poçemin dhe Mallakastrën me rrugën e Lumit të Vlorës dhe gjithë këtë zonë e nxjerr më shpejt te pjesa e bregdetit.

Projekti parashikon ndër të tjera riparimin e urave ekzistuese, si dhe trotuarë të ndriçuar në zonat e banuara.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›