E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: SPAK lëshon fletëthirrje si bileta teatri, prioritet Shqipëria në BE 2030

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar ka ashpërsuar tonet ndaj SPAK, duke i krahasuar fletëthirrjet e prokurorisë me “bileta teatri” dhe duke folur për një “lëvizje sportive prokurorësh” në prag të mandatit të ri të institucionit.

Rama u shpreh se disa prokurorë janë “turrur në garë për mandatin e ardhshëm”, duke prerë, sipas tij, “fletë-arreste në tufa”.

“Ka filluar një lëvizje sportive prokurorësh që janë futur në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK, duke prerë fletë-arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë çështje penale dhe në rastin më të keq hetohen në gjendje të lirë. SPAK lëshon fletëthirrje si të jenë bileta teatri”, deklaroi Rama.

Ai përmendi si rast emblematik atë të Durrësit, ku sipas tij janë lëshuar dhjetëra masa arresti, duke përfshirë edhe persona në kushte të rënda shëndetësore.

Më tej, kryeministri theksoi se prioriteti kryesor mbetet integrimi europian i vendit. Ai shtoi se sot vendi ynë ndodhet më pranë Bashkimit Evropian dhe kjo sikurse tha ai “është letërsi, por fakt”.

Rama nënvizoi se në fund të janarit Kuvendi ka miratuar një paketë të gjerë ligjesh dhe amendimesh në kuadër të procesit të integrimit, ndërsa vendi ka hyrë në një fazë të re vlerësimi për kapitujt e negociatave.

“Aktualisht, kemi rritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit që është vlerësimi dhe më pas marrja e dritës jeshile për pikat e ndërmjetme, të cilët janë sipas drejtuesve tona në këtë proces, një test i vështirësisë së lartë dhe kërkojnë përgatitje të lartë të vendit.

Për planin tonë, ky test duhet kaluar në disa muaj dhe kjo do forcë. Dhe forcë në këtë rast do të thotë përqendrim i të gjitha forcave në një drejtim. Jam besim plotë që do e kalojmë dhe këtë test pavarësish shkopinjve në rrota dhe tymit të bombave artizanale, e kam për të gjitha bomba artizanale që plasin përditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike.

Në rrezik këtu është përqendrimi ynë në udhëheqjen e vendit. Duhet të rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona të mëdha e të vogla. Të shtojmë forcat për ti bërë me mirë”, përfundoi Kryeministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›