Rama: Sektori privat të marrë masa për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot gjatë Forumit të Dytë të Inovacionit, se sektori privat duhet të marrë masa për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
Në aktivitetin ku e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe ekspertë të fushës, Rama vuri theksin te nevoja që sektori privat të rrisë investimet për mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
“Neve na u desh një sulm i egër mbi infrastrukturën tonë digjitale për të marrë masa për të investuar në mbrojtjen kibernetike dhe për të pasur sot një modul shumë të zhvilluar të mbrojtjes kibernetike dhe faktikisht Shqipëria është në sulm të përditshëm, të përditshëm dhe juve nuk dëgjoni asgjë për këtë sepse të gjitha sulmet përplasen në murin tonë mbrojtës edhe nuk arrijnë dot ta penetrojnë infrastrukturën tonë publike për ato të saj ku ne kemi ngritur murin”, tha ai.
“Kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi vulnerabël në sektorin privat dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që sektori privat të marrë masa më herët se vonë për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike përpara sa të gjendet në situatën që “Obobo, si e menduam ne që kjo nuk do na ndodhte”, vijoi Rama, ndërsa shtoi se ka një rritje të vazhdueshme të numrit të aplikimeve në platformën e-Albania.
“Kemi mbi 40% rritje të aplikimeve vetëm në dy vitet e fundit”, theksoi Rama.
Kreu i Qeverisë, nënvizoi se aktualisht po punohet për të ndërtuar të parin sistem 360 gradë të prokurimit publik me inteligjencë artificiale.
Rama tha se, njëherësh po punohet për të ridizenjuar e-Albania-n dhe për të hyrë në gjeneratën e dytë të saj, e-Albania 2.0, me standarde të reja shërbimi dhe me një aksesueshmëri shumë më të lehtë.
/e.i/a.f/