Rama: Shërbimi diplomatik qesharak

Tryeza e PS për shërbimin diplomatik
Partia Socialiste mblodhi dje pasdite tryezën për diplomacinë, në kuadër të konsolidimit të programit të ri Për një Rilindje Shqiptare.
Në fjalën e tij, kryetari socialist Edi Rama e cilësoi shërbimin diplomatik shqiptar qesharak, për shkak të mungesës së diplomatëve të karrierës dhe emërimeve klienteliste e nepotike.
Roli i shërbimit diplomatik për shkak të një larushie të emëruar në mënyrë klienteliste dhe nepotike është zbehur së tepërmi në vitet e fundit. Sot, shërbimi ynë diplomatik po kalon realisht një periudhë të vështirë e po bëhet gjithnjë e më shumë qesharak në sytë e të gjithë atyre bashkatdhetarëve me banim jashtë vendit që kanë nevojë për këtë shërbim, apo miq, partnerë ose thjesht të huaj që i drejtohen këtij shërbimi për çka ju detyron puna, interesi apo nevoja e tyre, u shpreh Rama. Kreu i PS-së theksoi domosdoshmërinë që shërbimi diplomatik shqiptar të ndahet në mënyrë të prerë nga politika e përditshme, në mënyrë që siç tha ai, ky shërbim të jetë në nivelin e aspiratave dhe detyrimeve të qytetarëve shqiptarë. Jemi njohur me shumë keqardhje dhe trishtim për fenomenet shumë të rënda të nepotizmit dhe të klientelizmit partiak, që e kanë virusuar gjithë organizmin e shërbimit tonë diplomatik. Është një kancer që duhet shkulur nga organizmi i këtij shërbimi, sepse kostot e kësaj sëmundjeje të injektuar në mënyrë të vetëdijshme nga një politikë krejt qorre, që edhe vendet në shërbimin diplomatik i sheh si vende pune për të plotësuar lloj-lloj ambiciesh, nevojash dhe interesash që skanë lidhje fare me shërbimin diplomatik, përbën një domosdoshmëri dhe ne duhet ta përballim këtë sfidë me të gjithë vendosmërinë tonë. Ne duhet ti japim Shqipërisë dinjitet maksimal në sytë e çdokujt që ballafaqohet me shërbimin tonë diplomatik, u shpreh Rama. Për kreun socialist duhet të ndërtohet mbi bazën e një strategjie që tu përgjigjet kërkesave të një vendi anëtar i NATO-s. Të ndërtojmë rrugën për ta transformuar shërbimin diplomatik nga një zyrë punësimi e radhës në një trup i cili tu shërbejë interesave të atdheut tonë, ti shërbejë misionit për të cilin është ngritur. Për këtë arsye ka shumë rëndësi që në reformën që ne po konceptojmë për shërbimin diplomatik, të kemi parasysh një strategji të koordinuar me sa më shumë faktorë të tjerë për politikën e jashtme të Shqipërisë. Që një strategji e tillë të mos mbetet një letër e pakthyer në mision dhe veprim real, na duhet me patjetër që ti japim fund shpërdorimit të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në shërbimin diplomatik të Shqipërisë, deklaroi Rama.
Propozimet
Kryetari i grupit të punës në tryezën e programit për diplomacinë, Marko Bello, paraqiti dhe disa propozime se si duhet transformuar shërbimi diplomatik shqiptar. Së pari, sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë, e bëjnë të domosdoshme reformën në shërbimin diplomatik. Ky shërbim duhet reformuar pa hezitim, por me kujdes, me qëllim që ai të rikonceptohet dhe më pas të konsolidohet. Së dyti, kjo reformë që PS do të ndërmarrë, duhet të përfshijë kuadrin ligjor mbi të cilin organizohet dhe funksionon shërbimi i jashtëm shqiptar. Së treti, reforma të realizojë një ristrukturim të plotë institucional dhe funksional të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke rikonceptuar organigramën e saj, me qëllim që ky dikaster tu përgjigjet sfidave të kohës dhe të realizojë sa më mirë misionin e tij, u shpreh Bello gjatë fjalës së tij.
Arta Dade
Ish-ministrja e Jashtme socialiste, Arta Dade, tha gjatë fjalës së saj se puna e MPJ-së në këto vite është karakterizuar nga shkelje flagrante të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit të shërbimit civil, duke e shndërruar diplomacinë në një instrument në shërbim vetëm të Kryeministrit, Partisë Demokratike, dhe për fat të keq së fundi dhe të koalicionit. Shërbimi më i keq që i bëhet vendit, është paraqitja me këtë kategori punonjësish të Ministrisë së Jashtme – diplomatësh, të cilëve u mungon edhe aftësia për të kamufluar shërbimin dhe servilizmin ndaj ekzekutivit dhe denigrimin e opozitës e madje, edhe të Presidentit të Republikës, u shpreh Dade.
Dritan Hila
Diplomati i njohur propozoi ngritjen e një qendre krizash, e cila do të disponojë informacion të plotë gjatë çdo situate emergjencash. Propozoj që PS në qeverisje të ngrejë një qendër krizash. Është e pafalshme që në Japoni gjatë tsunamit listën e qytetarëve shqiptarë të prekur e bëri një gazetë, ndërsa ambasadori doli nga gjumi pas 4 ditësh, u shpreh Hila.
ARISTIR LUMEZI