Meidani: Zgjedhja e Presidentit, çështje numrash

Ish-presidenti Meidani
Ish-presidenti Rexhep Meidani shprehet se zgjedhja e Presidentit të ri të vendit në fund të fundit është çështje numrash sesa parimesh. Sipas tij, sado të debatohet për parime dhe për emra, zgjidhja do të vijë nga loja politike që do të luajnë kryetarët e partive parlamentare. Kreu i ri i shtetit do të jetë produkt i një loje politike mes liderëve aktuale dhe, në rastin më të keq, një emër i zgjedhur me 71 vota, që sipas tij nuk do ti përgjigjet as Kushtetutës në nenin që thotë se Presidenti duhet të garantojë unitetin kombëtar. Ish-kreu i shtetit e cilëson si të pakuptimtë debatin publik para qytetarëve lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri, për sa kohë qytetari nuk e zgjedh atë. Problemi siç shihet sot, nuk lidhet shumë me qytetarin. Është brenda lojës politike, ndoshta dhe brenda drejtuesve kryesorë të forcave kryesore politike dhe, në këtë drejtim, çdo debat që bëhet jashtë kësaj loje, çdo debat që bëhet në ekranet televizive, në faqet e medias së shkruar, mua më duket pak i pakuptimtë, shprehet Meidani.
Duke mos e kundërshtuar edhe mundësinë për Nanon President, Meidani thotë se çdokush që mund të sigurojë brenda Parlamentit 71 vota, është po ashtu i mundshëm të jetë Presidenti i shqiptareve. Nuk kam asnjë opinion konkret për kandidatë konkretë. Arsyeja është e thjeshtë, jo që Nano nuk e plotëson atë për të kandiduar si President, porse në fund të fundit duhet vota. Për tu bërë pastaj President në variantin e katërt ose në raundin e pestë, nëse këto i gjejnë natyrisht, do të jetë President ose Nano ose ndonjë kandidat tjetër, se ndryshe do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, shprehet Meidani. Si pjesë e Këshillit të të urtëve pranë kryetarit të socialistëve Edi Rama, Meidani refuzon të përgjigjet nëse e ka këshilluar lidershipin socialist për të mbështetur paraardhësin e tij Fatos Nano në garën për President. Unë skam votë dhe, si çdo qytetar shqiptar, as të drejtë të jap mbështetjen për njërin apo tjetrin kandidat, u shpreh ish-presidenti Meidani. Ai gjen rastin të shtojë se për një President të të gjithë shqiptarëve duhet të ketë vullnet politik për të ndryshuar Kushtetutën.
Takimi
Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me ish-liderin historik të së majtës Fatos Nano, pak ditë para se ai të niste turin e takimeve me disa drejtues të partive parlamentare, por dhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Arvizu. Nuk është bërë publike se çfarë kanë biseduar mes tyre ish-presidenti dhe ish-kryeministri, por tema e ditës mbetet zgjedhja e Presidentit të ri. Meidani është anëtar i Këshillit politik në PS, ku është diskutuar për Presidentin e ardhshëm.