E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër, standarde bashkëkohore për 800 nxënës e mësues

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Në qytetin e Shkodrës vijon puna për rikonstruksionin e shkollës “Ndre Mjeda”, e cila po rilind me standarde bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës.

Kryeministri theksoi se shkolla “Ndre Mjeda” po rilind me kushte dhe standarde bashkëkohore për afro 800 nxënësit dhe mësuesit e saj.

“Ky investim i qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Shkodër, po merr formë dita-ditës, ku deri më tani ka përfunduar ndërtimi i shtesës së godinës, ndërsa po vijon puna në pjesën e brendshme të shkollës, për të hapur dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor”, theksoi kryeministri.

Shkolla “Ndre Mjeda” nga një godinë e amortizuar pa ngrohje, pa palestër, mësim me dy turne, do të rilindë nga e para, me të gjitha standardet bashkëkohore e pajisur me klasa të bollshme, laboratorë, bibliotekë, palestër dhe hapësira rekreative.

Shkolla e re do të jetë në funksion të 800 nxënësve, ndërkohë që në plan për t’u rindërtuar në qytetin e Shkodrës janë edhe pesë shkolla të tjera.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›