Rama: Shoqëritë e bashkuara bujqësore po marrin zhvillim në disa qarqe

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, gjatë takimit sot me strukturat e PS në Dibër, theksoi se bashkimi i fermerëve në struktura të përbashkëta po shtrihet në disa zona të vendit.
“Ne ishim përpara se të vinim këtu, në një takim me fermerë dhe me shumë kënaqësi unë pashë që ka hedhur bazën e vet edhe Shoqëria e parë e Bashkuar Bujqësore dhe ka një tjetër kuptim dhe një tjetër angazhim për t’u bashkuar, për të rritur kapacitetet prodhuese dhe për të ulur kostot duke dalë njëkohësisht në treg me produkte të zonës, qoftë për konsumatorët vendas, qoftë për tregun e huaj. Edhe kishte lindur dhe emri i parë i një Shoqërie të Bashkuar Bujqësore që quhej “Dibra Origin””, tha Rama.
Rama e cilësoi këtë një fenomen të ri, por të domosdoshëm. “Ky fenomen i bashkimit të forcave në fshat, edhe pse i vonuar, po merr zhvillim dhe po jep rezultate”, tha ai.
“Nuk është vetëm një, por është dhe një tjetër shoqëri që është në formim e sipër.
Pra, njëra është për frutoret, tjetra është për blegtorinë dhe më vjen shumë mirë që tanimë ky fenomen i ri, i vonuar për hir të së vërtetës, por më mirë vonë se kurrë, i bashkimit të forcave në fshat, është një fenomen që falë edhe punës shumë të mirë që po bën ministri i Bujqësisë”, theksoi Kryeministri.
Sipas tij, kjo formë organizimi po përhapet në disa bashki të vendit. “Janë në Malësi të Madhe, Berat, Cërrik, Kolonjë, Pogradec, Durrës, Lushnjë, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Peqin, Divjakë dhe Roskovec ‘farat’ e këtyre shoqërive që po mbijnë”, deklaroi Rama.
/e.xh/r.e/