Rama: Shqipëria drejt fazës mbyllëse të negociatave me BE-në, “Viti 2030 do të jetë Viti Europian i Naimit”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të hënë pas sinjaleve pozitive për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian, duke e lidhur këtë moment me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashëri.
Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson si një “mister të gëzueshëm” faktin që drita jeshile për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE vjen pikërisht në përvjetorin e poetit dhe rilindësit të madh shqiptar.
“Është një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë e quan Naim Frashërin “Shqipëribërësin” e madh dhe thekson se Shqipëria synon që në vitin 2030, në 130-vjetorin e vdekjes së tij, të kurorëzojë integrimin europian.
“Shqipëria 2030 do ta kurorëzojë atë vit si Vitin Europian të Naimit, vitin e ‘Diellit që lind andej nga perëndon’”, shprehet më tej Rama.
Në fund të reagimit të tij, kryeministri uroi qytetarët për një javë të mbarë.