Rama: Shqipëria, histori ndërkombëtare suksesi në Mesdheun turistik

TIRANË, 26 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, i siguroi sot shqiptarët e SHBA-së se “Shqipëria e kësaj faze të historisë së saj ka vetëm një forcë shtetbërëse, PS-në, pa të cilën nuk do ta bënte dot Reformën në Drejtësi dhe të godiste korrupsionin pa dallim ngjyrash e siglash politike”.
Në takimin e zhvilluar në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, Rama theksoi se Shqipëria ulet sot në çdo tryezë dhe forum të lartë ndërkombëtar si e barabartë mes të barbartësh.
“Pa PS-në, Shqipëria nuk do të bëhej dot kurrë një histori ndërkombëtare suksesi në Mesdheun turistik, me rritjen më të madhe të turizmit në Europë dhe me aeroportin me rritjen më të lartë të pasagjerëve në Europë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se Shqipëria do të mikpresë vitin e ardhshën samitin e Komunitetit Politik Europian dhe në vitin 2027, Samitin e NATO-s.
“Shqipëria nuk do të mikpriste kurrë në Tiranë, për herë të parë në historinë e vetë, të parin samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, jashtë kufijve të BE-së. Shqipëria nuk do të kryesonte OSBE-në dhe të ulej këtu në Nju-Jork në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria do të mikpresë samitin e Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm, kur do të vijnë në Tiranë udhëheqësit e gjithë demokracive të kontinentit, nga Britania në Ukrainë, nga Suedia në Turqi. Shqipëria do të mikpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027, kur të gjithë liderët e vendeve të NATO-s do të zbarkojnë në Shqipëri”, tha Rama.
Sipas tij, “është një Shqipëri e rilindur këtë dekadë, e cila po kthehet në një emër krenarie”.
“Nuk kam ardhur këtu sot t’ju them se Shqipëria është një fushë me lule se nuk është. Përkundrazi kemi shumë ferra për të pastruar dhe shumë plagë për të shëruar. Por kam ardhur këtu për t’ju thënë se jam sa krenar për gjithçka të mirë kemi bërë deri këtu, aq edhe i vetëdijshëm për sa shumë akoma mbetet për të bërë. Ndaj kam ardhur këtu për t’ju kërkuar që ta vazhdojmë dhe përmbushim së bashku këtë mision të nisur një dekadë më parë për ta ngjitur Shqipërinë në majë në vitin 2030, duke e bërë përfundimisht të pakthyeshme rrugën e Europës”, tha Rama.