Rama: Shqipëria mbyll kapitullin e katërt të negociatave me BE, nis numërimi mbrapsht drejt objektivit historik

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Evropian për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të vendit, duke theksuar se tashmë nis numërimi mbrapsht drejt objektivit historik të Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, përparimi në negociata krijon perspektiva të reja për investimet, inovacionin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Shqipëria mbyll kapitullin e katërt, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, shkruan kryeministri Edi Rama në facebook.
Mbyllja e negociatave për këtë kapitull përbën një tjetër etapë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa vendi vijon punën për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja.