E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria renditet më mirë se disa vende të BE-së në integritetin e prokurimeve

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku ka bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje.

Kryeministri reagoi ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, sipas së cilit ” integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri ka shënuar rënie”.

“Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjëlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten”, u shpreh Rama.

Ndërkohë kryeministri siguroi se falë inteligjencës artificiale prokurimet publike do të arrijnë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë europian.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie!

Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjëlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten.

Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›