E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, shembulli i një vëllazërie fetare për mbarë botën

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Selia e Kryegjyshatës do të ketë status të veçantë”.

I pranishëm ceremoninë e 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, Rama tha se, “Shqipëria është shtet unitar, nuk është shtet federal, Komunitetet e tjera fetare nuk kanë arsye të shqetësohen, është trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri”.

Kryeministri vuri në dukje se, të tjerët do ta kishin shpikur, por ne e kemi.

Rama tha se, “një emblemë e tillë i jep Shqipërisë edhe më shumë dritë të vëmendjes dhe respektit si shembull i asaj harmonie as shumë të bekuar dhe të kërkuar sot, të cilën Papa Franceku, kur erdhi këtu e pagëzoi si shembullin një vëllazërie fetare për mbarë botën”.

Kryeministri u shpreh se, “ne jemi një shembull i vëllazërisë fetare për mbarë botën, dhe ska gjë më të mirëseardhura që Bektashinjtë t’i kemi emblemë që do të thithë shumë njerëz nga mbarë bota, që kur të vijnë do të shohin sesi jetojmë në harmoni kishat dhe xhamijat”, u shpreh Rama.

“”Mos shiko fenë e tjetrit por shiko zemrën e tij” na këshillon profeti Muhamet dhe në këto fjalë të një thjeshtësie madhështore qëndron thelbi i kësaj dite këtu, dhe të gjitha këto fjalë që i themi sipas protokolleve nuk është aspak e vështirë të ndjesh në tonin e të gjithë klerikëve të tjerë, një respekt të veçantë. Sepse nuk është respekti i klerikëve ndaj klerikëve, por i shqiptarëve ndaj shqiptarëve dhe për shqiptarët.

Nuk kemi ca të diskutojmë sepse të gjithë klerikët e tjerë përfaqësues legjendarë të komuniteteve të tjera për gjuhën shqipe, pavarësinë e me radhë ishin atje si shqiptarë, ndërsa bektashinjtë erdhën si bektashinj dhe duke sjell fjalët e profetit “paqja e zotit qoftë mbi të“ unë besoj se pikërisht mos shiko fenë e tjetrit por zemrën e tij është deviza që Shqipëria duhet ta forcojë dhe mbrojë vetveten në kushte e një bote ku dalja menç po bëhet një sëmundje kronike e këtij shekulli”, tha Rama.

“Luajnë mendsh grupe, luajnë mend tufa njerëzish, luajnë mendsh shtete por ne nuk kemi luksin të luajmë mendsh se jemi dhe shumë pak dhe ashtu si dikur, në agimin e rilindjes kombëtare, teqetë nuk ishin, e thashë, entitete ekskluzive të një komuniteti fetar por ishin qendërza lokale të dialogut, të harmonisë, të vëllazërisë mes atyre shqiptarëve që gjendeshin rreth e rrotull atje pavarësisht besimeve, ashtu Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mund të transformohet në një realitet shqiptar ndërkombëtarisht tërheqës ku njerëzit e çdo feje dhe kombësie, ndër plot nga ata që vijnë dhe do vijnë gjithmonë e më shumë në Shqipëri të mund të hyjnë në portën e hapur të një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa apo atribute të tjera por një seli, një shtet shpirtëror që e pret çdo vizitor me devizën”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, “Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne jemi këtu për të bashkuar” dhe natyrisht, kjo patjetër që do t’i japë edhe këtij komuniteti mundësinë të mbijetojë sepse patjetër që do t’i shtohen ndjekësit, patjetër që do t’i shtohen simpatizantët, patjetër do të gjendjen njerëzit, grupet, entet që nuk do t’i lënë pa pasardhës këta baballarë këtu, nuk do t’i lënë pa frymë bektashizmi teqetë, nuk do t’i lënë zona të tëra të Shqipërisë të shikoni hartën këtu sesi kanë qenë të shpërndara dhe sesi janë sakatuar nga lloj lloj duarsh dhe jo vetëm nga komunistët që të jemi të qartë dhe jo vetëm nga brenda por dhe nga jashtë.”

“Është një borxh që ne mund ta njohim dhe duhet ta njohim them unë si shqiptar ose mund ta injorojmë dhe po si shqipo t’i bëjmë vetes dhe një të keqe tjetër dhe të regjistrohemi në listën e shqipove që i kanë bërë shumë të këqija këtij vendi. Unë për veten mund të mos jem i zoti të bëj të gjithë ato të mira që duan shqiptarët por emrin tim në listën e atyre që i kanë bërë keq këtij vendi, nuk e fus. Zoti nuk të pyet çfarë je, Zoti të pyet kush je. Dhe këto janë fjalët e kryegjyshit të admirueshëm Baba Reshatit, i ndrittë shpirti aty ku është”, tha Rama.

Kryeministri tregoi se, ka ka pasur privilegjin ta njoh personalisht Baba Reshatin. “Një njeri i madh sa thjeshtësia e tij. Dhe mund ta them këtu sot se nuk më ka rënë ndonjëherë rasti të shprehem për të, Baba Reshati nuk ishte thjeshtë një udhëheqës fetar. Unë kam pasur biseda me të. I mbaj mend si sot.

Ai ishte mëshirim i humanizmit të bektashizmit, një kryegjysh që jo vetëm fliste për dogmën e bektashizmit me bektashinj jo me mua, apo për fatet e Shqipërisë me të tjerë si puna ime por ato që fliste ai i jetonte dhe ai e jetoi bektashizmin bashke me fatet e Atdheut si të ishin shpirti dhe trupi u tij”, tha Rama.

Kryeministri e vlerësoi këtë takim shumë kuptimplotë ku siç tha ai, “i premtuam njeri tjetrin shpëtimin, mbrojtjen dhe promovimin të gjithë bashkë të kësaj trashëgimie të vyer kulturore kombëtare”.

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›