Kingji mbledh atashetë ushtarakë të Shqipërisë në NATO

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji zhvilloi një takim me përfaqësuesit dhe Atashetë Ushtarakë të Republikës së Shqipërisë në strukturat kryesore të NATO-s.
Në një postim në rrjetet sociale, Kingji tha se “në takim u trajtuan çështje që lidhen me veprimtarinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, me synim unifikimin e përpjekjeve drejt realizimit të objektivave tona strategjike”.
Atashetë Ushtarakë të Republikës së Shqipërisë u pritën dje në një takim edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
“Baza Detare e Porto Romanos, Baza Ajrore e Kuçovës dhe mobiliteti përgjatë Korridorit VIII janë disa nga projektet madhore që kërkojnë angazhim të shtuar. Bashkëpunimi me aleatët në industrinë e mbrojtjes ka një prioritet të padiskutueshëm dhe tashmë kemi bërë hapa të rëndësishëm për të përforcuar këtë sektor”, tha Vengu gjatë takimit me ta.
1 nga 4/k.s/a.f/