Rama: Shqipëria vend i sigurt, të huajt mund të jetojnë në Vlorë

TIRANË, 14 prill /ATSH- Arbi Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë një bashkëbisedim me operatorët turistikë mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në Vlorë dhe në Shqipëri duhet të krijohen kushte që të huajt të vijnë dhe të jetojnë. Sipas tij, Shqipëria është një vend i sigurt, ndërsa shtoi se Ivanka Trump, vajza e presidentit të SHBA-së Donald Trump, mund të vizitojë shpesh Shqipërinë në të ardhmen, edhe pse, siç theksoi ai, ende nuk jemi në atë fazë.
“Në Vlorë po zhvillohen projekte të jashtëzakonshme. Pyetja është sa këto projekte do të arrijnë të sjellin njerëz që të zgjedhin të jetojnë këtu. Këtu kanë nisur të blejnë, por Vlora ka potencialin të bëhet si qytete në Portugali, Spanjë apo Turqi, ku vijnë dhe jetojnë shumë të huaj. Është plotësisht e mundur.
Shqipëria, në këtë kontekst të madh europian, me gjithë këto zhvillime dhe sfida, është një vend ku jetohet me siguri. Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën, kuptohet. Po më thoshin saktësisht këtë, disa prej tyre vinin nga Londra: nuk e kishin menduar kurrë që mund të dilnin në kryeqytetin e Shqipërisë natën dhe të ndiheshin plotësisht të sigurt. Nuk kishin asnjë ndjesi frike, ndërsa në Londër nuk del dot natën. Janë fjalët e tyre, jo të miat”, përfundoi Rama.
/a.f/