E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Moment kyç për integrimin në BE, sot dera është e hapur

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste, në Vlorë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vendi ndodhet në një moment vendimtar historik për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Rama u shpreh se konteksti ndërkombëtar dhe mbështetja e vendeve të BE-së e bëjnë këtë periudhë të favorshme për integrimin e vendit në BE.

“Është shumë e rëndësishme kjo, sepse ndërkohë vendi ynë është në një moment kyç të historisë së vet, pasi për herë të parë në historinë tonë, sipas meje, fati po i buzëqesh Shqipërisë dhe shqiptarëve, në kuptimin që për herë të parë të gjithë të mëdhenjtë që na duhen dhe që i duhen Shqipërisë për të synuar të realizojë atë që ka ëndërruar shumë gjatë, por që s’e ka realizuar dot kurrë pikërisht sepse edhe fati nuk i ka buzëqeshur, janë të rreshtuar në anën tonë, janë të rreshtuar në anën e kësaj ëndrre dhe të këtij misioni. Jo për ndonjë arsye misterioze, por për arsyen e thjeshtë se sot konteksti është i tillë që, aq sa ne duam – siç kemi dashur gjithmonë – që të jemi pjesë e Europës, jo vetëm gjeografikisht dhe kulturalisht dhe shpirtërisht, por edhe zyrtarisht, aq edhe Europa zyrtare, Bashkimi Europian, do që ne të jemi pjesë e saj.

“Kështu që ky është një moment jashtëzakonisht delikat, sepse duhet kuptuar plotësisht ashtu siç është. Nuk është një moment, i cili do të zgjasë pafundësisht. Është një moment i cili është krijuar nga bashkimi i të gjithë, ose rreshtimi i të gjithë yjeve në favorin tonë, i krijuar nga puna që kemi bërë ne në gjithë këto vite për t’u ndodhur pikërisht këtu ku jemi dhe nga rrethanat që nuk kanë pasur të bëjnë me ne, por që janë krijuar dhe kanë shkuar në favorin tonë, që do të thotë që Bashkimi Europian, ndryshe nga deri pak vite më parë, sot e ka derën të hapur realisht”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu se procesi i negociatave ka ecur me ritme të shpejta, duke përmendur hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në.

“Sot dera është e hapur, sepse po të mos ishte e hapur, ne nuk do t’i kishim hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në 11 muaj, siç nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër përpara nesh, dhe natyrisht që ne i kemi hapur në 11 muaj të gjithë kapitujt, sepse kemi qenë gati. Komisioni nuk merret me aspektet politike, por merret me çfarë konkretisht ka bërë apo s’ka bërë një shtet, ndërsa shtetet shikojnë politikisht. Mjafton njëri të thotë “jo, nuk jemi dakord” dhe ne nuk avancojmë dot, dhe kështu na ka ndodhur tre herë.

“Ndërkohë, në periudhën e fundit na ka ndodhur e kundërta: që për çdo gjë që Komisioni Europian ka çuar në tryezën e shteteve në favorin tonë, të 27 kanë thënë: “okej, vazhdojmë përpara”, “okej, hapim këtë grup kapitujsh”, “okej, hapim këtë grup kapitujsh””, tha Rama.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›