E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shteti drejt falimentimit. Bode: PS po genjen dhe manipulon

21/07/2010 Buxheti i rishikuar

Rama: Dëshmi e thellimit të krizës ekonomike

Miratimi në parim në Kuvend i buxhetit të rishikuar solli me vetë kritikat e ashpra të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Në një analizë të detajuar mbi një çështje të tillë kreu i socialistëve rikujtoi faktin se buxheti i rishikuar, për të cilin opozita ka dhënë rekomandime qysh në nëntorin e 2009-s, nuk zgjidh asgjë përveçse u tregon shqiptarëve se kriza ekonomike është reale dhe e prekshme. Në gjykimin e tij, ky është një buxhet që më së shumti shton krizën ekonomike, që ka mbërritur në këtë pikë të rëndë vetëm për shkak të korrupsionit që ka kapur fund e krye shtetin. Madje, ndalur pikërisht në rekomandimet e opozitës për krizën ekonomike, Rama vlerësoi faktin se “pasojat po ndihen sot në kockën e çdo familjeje shqiptare, ndërsa kryeministri Berisha përpiqet ta mbyllë këtë gropë ekonomike me prerje shiritash mashtrues”. Duke shkuar më tej, Rama nuk hezitoi të lëshonte një tjetër hipotezë, sipas së cilës brenda këtij viti do të kemi një tjetër veprim të tillë nga ana e qeverisë, pra një rishikim të dytë të buxhetit. “Qeveria do të jetë e detyruar të dalë rishtas para Kuvendit për rishikimin e këtij buxheti, madje përpara fundit të vitit, sepse kriza është shumë më e rëndë nga sa na i tregojnë shifrat. Kjo pasi shifrat reale të krizës ekonomike, të borxhit publik, të deficitit financiar mbahen të fshehura nga trinomi Qeveri–BK–INSTAT”, - vuri në dukje Rama gjatë një deklarate për shtyp. Parë në këtë këndvështrim, Rama akuzoi se “ky është mbulim i së vërtetës, shifrave dhe fakteve reale të ekonomisë, një krizë e gjithanshme, që ka kapur shtetin, i ngjashëm me atë të fshehjes së votës në kutitë e mbyllura të 28 qershorit”. Sipas tij, 80 milionë të shkurtuara nga buxheti do të thotë asnjë lekë për kompanitë private për punët e kryera, asnjë lek për bankat e huaja dhe asnjë punë të re, pasi kjo manovër e qeverisë sakrifikoi si bankat që dhanë fonde, si kompanitë që kryen punime në rrugët e vendit. Në analizën e tij Rama veçoi faktin se në 6 muaj nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e qytetarëve, asnjë qindarkë asistencë për 60 mijë familjet e personave me aftësi të kufizuara, apo 96 mijë familjet në gjendje të rëndë ekonomike. “Janë 800 mijë shqiptarë të papunë në Shqipëri, të pasiguruar, pasi është pikërisht plaga e papunësisë që nuk i lë shqiptarët të sigurohen. Deficiti po thellohet përditë, duke u rritur 2 herë më shumë se kapaciteti për të mbledhur të ardhurat”, - u shpreh Rama në fjalën e tij.

Ministri Bode:

Rama gënjen për buxhetin

"Thirrje destabilizuese të pashpresa për opozitën", i quajti dje ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaratat e kreut të PS-së Edi Rama se, ndryshimet në buxhet do të thellojnë më tepër krizën. Në një konferencë për shtyp, Bode deklaroi se "Rama shtrembëron të vërtetën duke theksuar se shkurtimet në buxhet kapin shifrën prej 25 për qind, kur këto shkurtime kapin vetëm vlerën 9.5 për qind”. Më tej, ministri i Financave shtoi se “Rama akuzon për mungesë transparence dhe shifrash, për mungesë informacioni kur në fakt të gjitha informacionet ekzistojnë, të gjitha të dhënat statistikore për 6 mujorin e parë janë në dispozicion të publikut si nga Ministria e Financave, ashtu edhe nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë”. Ministri Bode vlerësoi dhe njëherë deklaratën e FMN-së para një jave se, Shqipëria pati një rritje më të madhe nga ajo që kishte parashikuar ky institucion, duke theksuar se ekonomia shqiptare vijon të mos përfshihet në krizë dhe se ajo ka pasur rritje. “Ne nuk kemi tabu ndryshimin e buxhetit, apo të ligjeve për të pasur një performancë sa më të mirë të financave publike, por Rama duhet të angazhohet për një buxhet të Bashkisë së Tiranës, të cilin nuk e ka ende”, deklaroi Bode. Duke iu referuar deklaratave të liderit të opozitës se ministria fsheh të vërtetën e buxhetit, ministri i Financave sqaroi se të gjitha informacionet, të dhënat sasiore për 6 mujorin e parë janë në dispozicion të publikut si nga Ministria e Financave ashtu dhe nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë, por që sigurisht nuk janë me formatin dhe me të dhënat që do dëshironte Edi Rama për të mallkuar dhe akuzuar ekonominë shqiptare si një ekonomi në krizë. Ai iu referua rishtas deklaratave të një jave më parë të FMN-së, ku u deklarua se Shqipëria kishte një rritje më të madhe ekonomike nga çkishte parashikuar ky institucion ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›