Rama: Shteti i së drejtës, luftë thelbësore e shoqërisë sonë për brezin e ardhshëm

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “mundësia për t’u lidhur me kaq shumë njerëz që janë kaq të përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës dhe të lidhesh me ekipin e gjyqtarëve që do të vijnë në Shqipëri të niveleve më të larta nga kaq shumë gjykata supreme akademikësh, do të thotë që do të kemi shansin që të bëjmë kaq shumë miq të mirë me njohuri kaq të mëdha për një luftë thelbësore të shoqërisë sonë për brezin e ardhshëm dhe nuk e paguan dot, edhe po të kesh rezervat më të mëdha të naftës”.
Këto komente Kryeministri Rama i bëri gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Madrid, pak para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027, që do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth tre mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
Kryeministri Rama konfirmoi faktin se nuk do të jetë pjesë e Kongresit të Drejtësisë në Republikën Domenikane, për shkak se punimet e këtij kongresi janë vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit 2025.
“Kështu që nuk mund të marrë pjesë personalisht, fizikisht. Ndoshta përmes teknologjisë mund të marr pjesë, por do të jetë rasti për të dërguar dikë shumë më të mirë se unë, si ministren e Shtetit për administratën dhe Antikorrupsionin, që udhëheq edhe negociatat tona kur vjen fjala për gjithçka që lidhet me shtetin e së drejtës, me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.
Rama tha se “vendet nuk ndryshojnë në bazë të asaj çfarë kanë, por në bazë të asaj çfarë dinë. Kështu që të kesh kaq shumë mendje që lidhen me Shqipërinë, do të jetë absolutisht investimi më i madh për brezat, sepse besoj që kjo organizatë dhe ky kongres do të vazhdojë të ekzistojë”.
“Vendet mund të kenë momentet e veta të dyshimeve, mund të kenë momentet e tyre të errëta, mund të kenë momentet e tyre të tundimeve që njëfarësoj të shmangin shtetin e së drejtës, por në fund të fundit, nuk ka aspak dyshim që shteti i së drejtës është ai që mund t’i japë gjithkujt pjesën e vet të barabartë të mundësisë e të sigurisë, në një shoqëri të lirë, ku të gjithë duan të bëjnë më mirë, të gjithë duan të fitojnë, por askush nuk duhet të fitojë në kurriz të tjetrit. Nuk ka të bëjë me ndërtimin e një shoqërie fituesish dhe humbësish, por një shoqëri ku të gjithë mund të fitojnë duke pasur të pjesë të barabarta mundësie dhe të jetë i barabartë përpara ligjit”, u shpreh Kryeministri Rama. /j.p/