Rama: Sot në Shqipëri sistemi po lufton për herë të parë korrupsionin

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Në kuadër të Javës së Administratës Publike 2026 u zhvillua sot aktiviteti me temë “Formëso të ardhmen europiane të Shqipërisë”, një dialog mbi rolin e administratës publike në procesin e transformimit dhe integrimit europian të vendit.
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi kontributin e profesionistëve të administratës publike në zbatimin e reformave transformuese dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta, modernizimit të administratës dhe përdorimit të teknologjisë e inteligjencës artificiale si instrumente kyçe për përshpejtimin e reformave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Rama, ndër të tjera, tha se lufta ndaj korrupsionit duhet të bëhet përmes sistemit dhe strukturave që ndërtohen në kohë.
“Në përpjekjet tona është e rëndësishme të kuptojmë si funksionon administrata edhe kur është jashtë vëmendjes së drejtpërdrejtë. Si funksionon një spital edhe kur nuk jam unë që shkoj atje për një vizitë apo inspektim, kur gjithçka përgatitet sepse pritet kryeministri apo ministri. Me strukturën e antikorrupsionit dhe me ndihmën e mekanizmave të tjerë, ministrja ndjek ecurinë e këtyre marrëdhënieve edhe përmes vizitave dhe kontrolleve të pa lajmëruara”, u shpreh Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “të konstatosh problemin është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është të jesh i vetëdijshëm për të dhe të veprosh për ta ndryshuar. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje reagimi të menjëhershëm apo ndëshkimi, por ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm”.
“Duhet që sistemi të të mbrojë. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është se sistemi, për herë të parë, po lufton korrupsionin. Nuk është më çështje voluntarizmi, por ndërtimi mekanizmash funksionalë, gjë që natyrisht është një proces i vështirë dhe i dhimbshëm”, tha Rama.
Ai shtoi se “episodet e zhurmshme ndihmojnë, por nuk ndërtojnë sistemin”, duke theksuar se besimi i tij për përshpejtimin e ndërtimit institucional lidhet me zhvillimet teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Franca, për shembull, ka një nga administratat më të strukturuara në botë, por ka kaluar një histori të gjatë dhe të dhimbshme shtetformimi. Ne jemi ende në fillim të këtij procesi dhe synojmë standarde të Bashkimit Europian, gjë që përbën një sfidë të madhe për administratën”, u shpreh Kryeministri Rama.
/a.f/