Sala: AKEP vijon përafrimin e kuadrit ligjor me BE-në, u përmbushën 10 nga 11 rekomandimet

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Përafrimi i kuadrit ligjor dhe rregullator të sektorit të komunikimeve elektronike me legjislacionin e Bashkimit Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, kreu i AKEP-it, Gentian Sala, bëri të ditur se institucioni po vijon punën për miratimin e pesë akteve të tjera rregullatore, me synim përafrimin e plotë të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian dhe forcimin e tregut të komunikimeve elektronike.
Ai tha se deri në fund të vitit 2025 ka përmbushur 10 nga 11 rekomandimet e lëna nga Kuvendi dhe po punon për zbatimin e rekomandimit të fundit.
Sala tha se gjatë vitit 2025 AKEP ka vijuar angazhimin për harmonizimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, duke miratuar 12 akte rregullatore, ndërsa tre akte të tjera nënligjore janë në proces miratimi. Po ashtu, institucioni po punon për hartimin e pesë akteve të tjera rregullatore, me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare.
Një nga prioritetet kryesore të AKEP gjatë vitit 2025 ishte zgjerimi i rrjeteve 5G. Sala bëri të ditur se Autoriteti ka bashkëpunuar me institucionet dhe operatorët për përshpejtimin e procedurave të ndërtimit të stacioneve 5G dhe shtrirjes së rrjeteve me fibër optike, duke monitoruar njëkohësisht përmbushjen e detyrimeve të operatorëve për mbulimin e zonave prioritare, si portet, aeroportet, zonat turistike dhe akset rrugore kombëtare.
Sipas tij, mbulimi me rrjet 4G ka arritur rreth 97% të territorit dhe pothuajse 100% të popullsisë, ndërsa në fund të vitit 2025 numri i përdoruesve aktivë të internetit celular ishte rreth 2.1 milionë. Trafiku i internetit celular u rrit me 16% krahasuar me vitin 2024, duke arritur në rreth 260 milionë GB.
“Në tregun e internetit fiks, Shqipëria numëron rreth 733 mijë pajtimtarë broadband, me një nivel depërtimi prej 97% të familjeve. Fibra optike përfaqëson tashmë 75% të lidhjeve fikse të internetit, ndërsa trafiku i të dhënave në rrjetet fikse u rrit me 17% gjatë vitit 2025”, informoi kreu i AKEP.
Sala u ndal edhe te projekti për sistemimin e rrjeteve kabllore ajrore, duke bërë të ditur se është hartuar një plan kombëtar veprimi dhe se zbatimi në terren pritet të nisë në muajin shtator, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe operatorët.
Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, AKEP raportoi se gjatë vitit 2025 janë administruar 394 ankesa për shërbimet e komunikimeve elektronike, 59% më pak se një vit më parë, si dhe 19 ankesa për shërbimet postare. Sipas Salës, ulja e numrit të ankesave pasqyron përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe efektivitetin e mekanizmave të mbrojtjes së konsumatorëve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se operatorët janë angazhuar të hedhin në treg paketa më ekonomike për shtresat në nevojë, të rrisin përmbajtjen e paketave me çmim të ulët, të ulin tarifat standarde të thirrjeve për përdoruesit me parapagesë, si dhe të kompensojnë abonentët në rastet e vonesave në portimin e numrit ose të rimbursojnë kreditin e papërdorur.
Duke paraqitur prioritetet për vitin 2026, Sala theksoi se AKEP do të vijojë harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, zbatimin e planit për sistemimin e rrjeteve kabllore, mbrojtjen e konsumatorëve, zhvillimin e rrjeteve me kapacitet të lartë dhe përgatitjet për integrimin e Shqipërisë në zonën e përbashkët të roaming-ut me Bashkimin Evropian.
/e.xh/a.f/