E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Statusi, Klinton s’kërkoi miratimin e 3 reformave

TIRANE-Kreu i PS, Edi Rama, i ftuar dje në emisionin “Top Story” në “Top Channel” deklaroi se Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton nuk i kishte kërkuar votimin e tri reformave të domosdoshme për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Ju ishit i pranishëm në funeralin e Lirak Bejkos. Ndërkohë, nga PD ju kujtojnë përditë se ju ende nuk i keni kërkuar ndjesë viktimave të regjimit komunist.
Është për të ardhur keq që PD, partia që lindi si zëdhënëse e një lëvizjeje të madhe, njëkohësisht atyre që nuk patën zë në komunizëm, vazhdon të akuzojë me të njëjtën gjuhë kundërshtarët e saj, pikërisht në ditën kur duhet të reflektojë lidhur me faktin se një i burgosur politik, që doli gjallë nga ferri i diktaturës komuniste u vetëdogj për shkak të zhgënjimeve të ferrit të ri zhgënjyes të PD-së.
Gjatë grevës së urisë, ju kritikuat sjelljen e qeverisë ndaj tyre, ndonëse Nishani u mundua të ndërmjetësonte.
Presidenti luajti një skeç si aktor i dorës së dytë, në teatrin e hipokrizisë.
Ju kanë akuzuar nga mazhoranca si bashkësponsor të kësaj greve urie, pas aktivitetit që keni bërë dhe mbështetjes që treguat për ish-të përndjekurit, vërtet mendoni se ata do ta mendojnë këtë dhe të votojnë për PS?
Në asnjë takim nuk i kemi kërkuar votë, as në nderimin e të ndjerit Bejko dhe nuk përbën kërkimi i votës arsyen e interesit tonë dhe as motivimin për të cilën duam të ndihmojnë dy njerëz për plagët e djegies së tyre, që të marrin kurim në shtete fqinje.
Si e pritët ju shkarkimin e “bashkëpuçistit”, ish-kryetarit të SHISH, Bahri Shaqirit?
Si një vijim të natyrshëm të zgjedhjes së gabuar dhe arrogante të Presidentit të sotëm të Republikës, për të cilin e kam thënë dhe vazhdoj të jem i bindur, është thjesht një ministër më shumë në qeverinë e PD-së.
Mbi zgjedhjet, mendoni se administrata amerikane ka krijuar një ide të qartë?
Mendoj se ndalimi i Klinton në Tiranë ishte pasqyrë e një kthjelltësie të plotë lidhur me vetëdijen e aleatit tonë të madh strategjik për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ajo iu drejtua Parlamentit me shprehjen “ju lutem bëni zgjedhje serioze”, dmth. se ka një shqetësim shumë serioz dhe adreson edhe një apel për këtë.
Pas ikjes së saj, më shumë dukej sikur ishit entuziast për takimin, sesa vizitën. Çfarë ju tha duke iu bërë kaq entuziast?
Nuk e fsheh që ishte takimi më i bukur i jetës sime politike. Takimi më i bukur, sigurisht ishte po aq i bukur takimi me Presidentin Obama, por ky ishte një takim i gjatë, në të cilin pata kënaqësinë e jashtëzakonshme të diskutoja me Sekretaren për ato çështje që kam shprehur edhe publikisht disa herë më parë.
Pra takimi me Klinton ishte edhe më i bukur se ai me Presidentin Obama?
Nuk thashë ekzaktësisht këtë, por ndryshimi është që ishte një takim i gjatë, ndërsa me zonjën Klinton shtjellova në mënyrë shpjeguese problematikën me të cilën përballemi sot. Takimi me Obamën ishte një eveniment, për mua si politikan dhe qytetar, e admirues i tij, nga pozitat e një njeriu që beson shumë në atë që ai përfaqëson dhe përpiqet të bëjë.
Ju nuk keni folur shumë për këtë takim me Presidentin e SHBA-ve.
Nuk ka qenë një takim zyrtar dhe duke qenë kështu, as nuk kam pasur dhe as nuk kam dëshirë që të bëj gjëra publike, duke respektuar faktin që takimi nuk ka qenë zyrtar.
Zonja Klinton u kërkoi publikisht palëve të bashkëpunojnë dhe ju la të kuptoni që jeni bashkëpërgjegjës për fatet e vendit.
Që ne jemi bashkëpërgjegjës kjo është e padyshimtë dhe është themeli i bashkëjetesës demokratike mes qeverisë dhe opozitës. Megjithatë, tjetër është bashkëpërgjegjësia dhe tjetër është fajësia për keqtrajtimin e fateve të vendit dhe në këtë pikëpamje, nuk ka asnjë ekuivok se fajësia për keqtrajtimin e tyre u takon atyre që qeverisin.
A kërkoi Klinton miratimin e ligjeve të mbetura për fitimin e statusit të vendit kandidat?
Jo, ajo nuk e bëri këtë as zyrtarisht dhe as personalisht.
Atëherë, çfarë do të bëni me këto ligje?
Nuk kam ndërkohë asnjë ekuivok, pa asnjë dyshim, ne jemi tërësisht të gatshëm që të tria këto projekte, sepse në fakt nuk janë ligje, por projekte, të japim kontributin siç e kemi dhënë për të gjithë paketën e ligjeve që çuan tek statusi i kushtëzuar. Për këtë, ne jemi pa asnjë kompleks të predispozuar për marrjen e të gjithë meritës, sepse nëse ka pasur progres Shqipëria gjatë këtij viti, ky ka qenë progresi në legjislacion. Nuk ka pasur progres as në luftën ndaj korrupsionit, as në çështjen e pronave apo krimit të organizuar dhe as me drejtësinë apo administratën publike. Kush kujton se do i hedhë hi syve duke thënë se po e bllokon opozita, do të ballafaqohet me popullin shqiptar nesër si çështje që e pengojnë progresin e mëtejshëm në raportin me BE-në. Ajo që mbetet e qartë dhe e rëndësishme është që një nga këto çështje që ka të bëjë me thelbin është sundimi i ligjit, jepet drejtpërdrejtë me zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për Fierin. Vullneti i 300 mijë qytetarëve nuk mund të shkelet arbitrarisht dhe kjo është ajo që ne kërkojmë.
Berisha ofroi opsionin e ri për zgjidhjen e ngërçit në Fier, mocionin për anëtarët dhe kryetarët e qarkut.
Kjo është antiligjore dhe antikushtetuese. Saliu nuk është mbi ligjin, pavarësisht se ai ka vendosur ndryshe. Ligji dhe vendimi i gjykatës është i qartë, ndaj nuk ka nevojë për mocion, gjykata e nënvizon gjithashtu këtë.
Jeni penduar për darkën me Metën, apo mendoni që ai ju ka një borxh?
S’kam arsye të pendohem. Takimi është bërë nisur nga vullneti i mirë dhe interesi publik.
Keni humbur aleancën me Nard Ndokën dhe nuk po shohim aleanca të reja…
Ne jemi të fokusuar për të zgjeruar aleancën tonë ndërpartiake, por edhe me publikun, duke zgjeruar bazën e mbështetjes për PS, që po ndodh dita–ditës.
A nuk ju duket arrogant refreni “kush të dojë le të na bashkohet”? LSI dhe Idrizi janë larg jush, kryetarja e KQZ-së nisi punën pa votën tuaj. Çfarë mendoni se keni më mirë se 2009-ën?
Është Shqipëria shumë më gri se sa në 2009. Por besoj se është ende herët për të folur për materializimin e aleancave dhe jam i bindur që koalicioni ynë do të jetë më i madhi opozitar që ka pasur njëherë vendi, që do të përballet me qeverinë.
Debati në PS nuk është shuar. Blushi është më afër, por në asamblenë e fundit u përplasët me Gjonin, që e cilësoi partinë kooperativë. Pse nuk po gëzon PS një institucion të debatit publik?
Kjo është një pamje pak folklorike e asaj që duket nga larg, por nuk është ajo që përbën atë çka është sot PS dhe çka ndodh në PS për PS. Besoj shumë që s’ka asnjë shqiptar që mund ta besojë se PS është një institucion i bunkerizuar, me gjithë përpjekjet e Saliut për ta përshkruar si të tillë, ashtu sikundër unë në atë mozaik emrash që ju përmendet ju them se pjesa më e madhe janë në shërbim të qëllimit të përbashkët.
A jeni sot më larg apo më afër me FRD, sepse tashmë nuk keni monopolin e opozitës, ka edhe parti të tjera opozitare?
Që ka opozitë, ka parti që vijnë nga e djathta dhe që kërkojnë largimin e kësaj qeverie dhe të Kryeministrit është pozitive dhe lajm i mirë për skenën politike shqiptare, por edhe për publikun që meriton të përfaqësohet më mirë në anën e djathtë, si ish-të përndjekurit politikë psh., që vendosin të vetësakrifikohen sepse u mashtruan për 22 vjet me radhë. Sot nuk jemi në kushtet e një normaliteti politik. Sot jemi në kushtet e një qeverisje në formë regjimi, sot s’ka vend për të hedhur votën në rrugë të mesme, sepse s’mund të ketë rrugë të mesme për një qeveri që kërcënon votën e lirë, e cila tashmë është tërësisht e ravijëzuar si një forcë që çon vendin drejt rrënimit.
E shini si domosdoshmëri?
Është nevojë historike dhe jam i bindur që shqiptarët, shumica, duke e ndjerë këtë nevojë historike, do të bëjnë një zgjedhje të qartë dhe besoj se nuk do të tundohen për rrugën e mesme, si në 2009, që la shumë njerëz që votën e tyre e dhanë për tjetër gjë, ndërsa ajo përfundoi tërësisht në të kundërtën. Këtu i referohem plotësisht LSI-së.
Ia keni mbyllur derën?
Ka vetëm një rrugë për të bërë opozitë, braktisja e qeverisë.
A ka një komunikim me Aleancën Kuqezi?
AK është një nga 2 partitë që u krijuan si vokacion i djathtë për të riafirmuar një të djathtë të mbetur në mes të rrugës dhe si e tillë edhe për AK vlen ajo që thashë për FRD-në.
Po, por AK ka një spektër më të gjerë dhe mund t’ju dëmtojë.
Ne nuk na dëmton dot asnjë forcë politike që nuk del qartësisht në dritën e opozitarizmit dhe nuk hap shtigje në rrugë të mesme, që mund të kthehen në rrugë qorre për ata që e mbështesin.
Ka listë të zezë me emrat e deputetëve që nuk do të jenë më kandidatë?
Ne kemi një grup parlamentar të gatshëm për të përballuar fushatën me sukses.
Blushi foli për ushtri elektorale, mund të na flisni pak më shumë, meqë përgjimi ishte i pamundshëm për shkak të zhurmuesit të celularëve dhe nuk pati rrjedhje informacioni.
Është normale që në një institucion serioz të mos funksionojnë telefonat. Kjo është një praktikë që gjendet në shumë instanca dhe që është e nevojshme kur raporti mes një komuniteti dhe asaj instance nuk është aq i forcuar tradicionalisht. Ne bëmë një lexim të thellë të zgjedhjeve të 8 majit. Kemi të gjithë bazën e arsyetimit për të besuar se në rast se u referohemi shembujve pozitivë, do të bëjmë një fitore spektakolare qershorin e ardhshëm dhe mbi shembujt pozitivë do të ndërtojmë strategjinë me sa më shumë njerëz dhe elementë të rinj në bërjen e fushatës elektorale, siç kemi bërë gjithnjë. Kemi qenë gjithmonë avangardë në modernizimin e fushatave elektorale dhe një skemë organizative që do të bëjë votën e shqiptarëve shumë më të sigurt.
Meqë jemi te 28 nëntori, përplasja është e fortë edhe për këtë.
Saliu 28 e bëri 27, 29 e bëri 28. Kudo që vendos dorë ai e prish. Dekori i 28 Nëntorit në Tiranë është një përzierje spektakolare e vulgariteti me mungesën minimale të sensit estetik. Kanë veshur ato shtyllat dhe vini re që i kanë veshur deri në mes dhe duken shtyllat sikur janë me pantallona. Dekori i Pallatit të Kulturës duket si reklama e një shkume rroje. Ahmet Zogu kur festoi 25- vjetorin e Pavarësisë ftoi njerëzit kundërshtarë në komisionin e përgatitjes së festës së madhe. Sot jemi në 100-vjetor dhe vetë mënyra e kremtimit është shprehja me flagrante që ky vend s’ka shtet, s’ka protokoll, s’ka as shije sepse ata që qeverisin s’kanë vizion, s’kanë projekt, s’kanë shije. Shqipëria pasurinë më të madhe të saj ka bukurinë dhe po goditet duke u shëmtuar dita-ditës.
Do shkoni në ceremoninë e rivarrimit të Ahmet Zogut?
Jo. Besoj se nuk ka vend në planet ku Presidenti i Republikës të ketë këshilltar princin, ose gjithë forcat republikane bëjnë një ceremoni për një rivarrim, që mund të kryhet normalisht në kushtet e një qasjeje humane të sensit të historisë, por pa e kthyer në një eveniment ku të përfshihet e gjithë politika.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›