Rama: Sulmi i Saliut mbi Kolegjin e Topin, turp
Kreu socialist, Edi Rama, në përgjigje të deklaratave të kryeministrit Berisha bërë në seancën e plenare të Parlamentit, i kërkoi Kolegjit Zgjedhor të bëjë drejtësi dhe të dalë mbi çdo presion partiak. “Ne presim që drejtësia të bëjë drejtësi. Që gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor të ngrihen mbi çdo presion dhe mbi çdo interes tjetër, që në këtë moment nuk mundet në asnjë mënyrë të prevalojë mbi interesin kombëtar, për t’i dhënë fund kësaj historie kaq të shëmtuar, duke u bazuar te Kushtetuta, te Kodi Zgjedhor, tek ligjet e këtij vendi dhe tek morali i demokracisë”, u shpreh Rama, gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me gazetarët në selinë rozë. Kreu socialist e cilësoi të turpshme deklaratën e kryeministrit Berisha lidhur me votën e presidentit Topi. “E konsiderojmë absolutisht të turpshme edhe çdo referencë në fjalën e sotme të Saliut lidhur me Kolegjin Zgjedhor dhe me vetë Presidentin e Republikës. Turp!”, u shpreh Rama. Duke e cilësuar 8 majin ditën e fitores së opozitës, Rama tha se fitorja nuk mund të zbehet nga tentativat antiligjore të kryeministrit dhe shpurës së tij për të rrëmbyer në tavolinë mandatin e kryeqytetit. “Mbetemi të bindur se Tirana nuk do të bëhet pjesë e menysë së tavolinës së oborrit të Saliut, ku shqyhen përditë copa Shqipërie. Madje, nuk ka asnjë përpjekje për të fshehur synimin e hapur që është grabitja e këtij vendi”, tha Rama. Duke iu referuar deklaratave të ndërkombëtarëve për procesin zgjedhor në Shqipëri, Rama tha se ndërkombëtarët kanë folur qartë, pasi ata nuk mund ta gëlltisin këtë proces dhunues mbi votën dhe demokracinë. “Partnerët tanë u shprehën pa asnjë ekuivok që të gjithë bashkë, edhe lidhur me të ashtuquajturat fletët e hedhura gabim, për të cilat Saliu mund të gugëllijë sa të dojë, por është e qartë se nuk mund të bëhen pjesë e procesit, pasi procesi ka mbaruar. E, për më tepër pastaj nuk mund të konsiderohen seriozisht, kur janë kthyer në një tufë fletësh që jo të gjitha kanë qenë në kuti të hedhura nga qytetarët, por siç tregojnë vetë shifrat që nuk përputhen gjëkundi e të shtuara nga pushtetarët”, u shpreh Rama. Shifrat e publikuara nga KQZ e që nuk korrespondojnë kurrkund me njëra-tjetrën, për kreun e PS-së janë treguesi më i qartë se pushteti ka vënë dorë mbi votën e shqiptarëve. “Gjuha e presionit dhe e kërcënimit ndaj opozitës është konstante, sidomos pas humbjes therëse për Saliun, por nuk na bën asnjë përshtypje, përkundrazi na rrit vendosmërinë dhe forcon këmbënguljen tonë për t’i shkuar deri në fund një beteje, që nuk është thjesht për një mandat që po grabitet në tavolinë, por për të ardhmen e demokracisë shqiptare”, tha Rama.