E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do paguhet mirëmbajtja e rrugëve

Shqipëria do të fillojë të zbatojë në vijim dhënin me koncesion të rrugëve kryesore në vend, të cilësuara si rrugë primare, ndërkohë që ato sekondare përjashtohen nga ky projekt.Qytetarët do të duhet që të paguajnë një tarifë fikse, e cila do të shkojë në shërbim të mirëmbajtjes së këtyre rrugëve, por ende Shqipëria është në fazën e studimit se cila mënyrë koncesioni është më e mirë. Ka dy mënyra gjerësisht të njohura dhe të zbatuara në shumicën e vendeve të BE-së, që lidhen me mënyrën se si paguhet taksa e mirëmbajtjes, por në total sistemi i BE-së përmban elemente që ndryshojnë nga njëri shtet në tjetrin. Por si do të zbatohet koncesioni apo pagesa e tarifës për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri? Ekspertët ndajnë mendimin se e para është një tarifë fikse që paguhet në hyrje të çdo rruge dhe tjetra lidhet me pagimin në total të një tarife vjetore së bashku me taksat e tjera që mund të përdoren dhe që janë efikase.
Tarifa në hyrje të rrugës
Mënyra e parë se si mund të zbatohet koncesioni i një rruge për mirëmbajtjen lidhet me procedurën e dhënies së të drejtës së administrimit, një kompanie të vetme, e cila më vonë nënkontrakton kompani të tjera sipas rrugëve. Kompania përkatëse vendos në hyrje të çdo rruge një pengesë kalimi, e cila mund të kalohet automatikisht, vetëm në rast se paguhet një tarifë e përcaktuar për këtë rrugë. Tarifa për çdo rrugë nuk do të jetë e njëjtë dhe kjo do të varet nga trafiku që ka rruga (numri i makinave që qarkullojnë mesatarisht në një ditë), por edhe në bazë të automjetit që qarkullon, duke iu referuar këtu tonazhit. Kështu, për makinat e lehta, taksa do të jetë më e ulët, për ato me tonazh të lartë, taksa progresivisht më e lartë. Kjo taksë do të paguhet vetëm nga zotëruesi i një automjeti dhe vetëm në momentin që ai përshkon këtë rrugë. Të ardhurat që mblidhen nga një rrugë, shkojnë për mirëmbajtjen e saj, por dhe për shpenzimet dhe fitimin e kompanisë që ka marrë me koncesion rrugën. Kompanisë së madhe i paguhet në fund një tarifë në bazë të fitimit.
Taksa vjetore
Mënyra e dytë e pagesës së mirëmbajtjes së një rruge me koncesion lidhet me pagimin e një tarife një herë në vit, së bashku me taksat e tjera të makinës apo në kohën e kolaudimit. Kjo tarifë do të paguhet nga gjithë qytetarët dhe paratë që do të mblidhen nga kjo taksë do të shkojnë në favor të pagimit të kompanive private që do të merren me mirëmbajtjen e segmenteve kryesore rrugorë. Pikëpyetja e kësaj mënyre pagese për mirëmbajtjen qëndron në faktin se qytetarët e gjithë vendit, që kanë në zotërim një automjet, do të paguajnë një taksë për gjithë segmentet rrugore që duhet të mirëmbahen në vend, edhe pse dikush mund të mos kalojë kurrë në disa prej tyre. Pikërisht në këtë pikë qëndron dilema nëse alternativa e parë është më e mira dhe më efikasja apo e dyta ka më tepër efikasitet, kjo në kuadrin e të ardhurave që mund të mblidhen.

191 milione euro
Pritet të shpenzohen si rezultat i nevojave për përforcimin e rrugëve gjatë periudhës 2010-2015. Këtë e bën të ditur raporti i hartuar me financimin e delegacionit të Komisionit Europian nga një konsulent i huaj për llogari të vendit tonë, në kuadër të studimit të mirëmbajtjes që kërkon sistemi rrugor

32 milione euro
llogaritet kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve për një vit për rrjetin parësor. Në fakt, kjo shifër varion nga 22 deri në 32 milionë euro. Kjo shihet me shqetësim në raport, pasi shuma që kërkohet është e madhe dhe ende nuk është krijuar një ide se si do ta sigurojë qeveria shumën që nevojitet

NERTILA MAHO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›