Rama: Të rinjtë në listën e mbyllur të kandidatëve, transfuzion i fuqishëm gjaku i PS-së

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, ndryshimi është në ADN-në e PS, teksa shtoi se të rinjtë do të përfshihen në listat e PS-së për t’i bërë një transfuzion të fuqishëm gjaku Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama foli lidhur me diskutimin për figurat e reja që do të jenë në listën e mbyllur të PS-së.
“Mund të jetë një diskutim i brendshëm që kontributet, çfarë kanë dhënë këta të rinjtë ose të rejat që të jenë në listën e mbyllur. Unë kam një këndvështrim komplet tjetër. Unë mendoj se pikërisht se këta janë më të rinj dhe më të reja dhe ftohen ose përfshihen për t’i bërë një transfuzion të fuqishëm gjaku Partisë Socialiste dhe për ta bërë partinë më të vjetër dhe më të re në Shqipëri, duhet të jenë aty”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi ai, “të tjerët pikërisht pse kanë qenë aty duhet të jenë në fushë, për të marrë sa më shumë vota për PS-në”.
“Dhe kijeni parasysh që hyrja që bëra në fillim dhe nuk e them fare për të mikluar askënd sepse e përsëris kjo është një zgjedhje e lirë, dhe prandaj vendosa të bëj këtë takim siç nuk e kam bërë asnjëherë më parë sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për logjikën e këtij procesi dhe të gjithë të jenë të vetëdijshëm për çfarë i duhet sot atyre që do t’u kërkojmë votën”, iu drejtua Rama deputetëve të PS.
“Nuk i duhet atyre që do t’u kërkojmë votën sot një skuadër që nuk reflekton se çfarë duan ata. Ata nuk duan thjesht një skuadër që të mbështetet tek eksperienca dhe ndërkohë që të mos u thotë asgjë atyre që janë ndjerë të lënë mënjanë me të drejtë, pa të drejtë, që janë ndjerë pa mundësi për t’u bërë pjesë e përfaqësisë së PS-së apo që ndjehen komplet pa lidhje me figurat me të cilat janë mësuar dhe duan figura të reja. Qoftë dhe për kaq. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Rama.
Dhe, shtoi kreu i qeverisë, “nëse ka një gjë që ne na ka mbajtur gjithmonë në kalë është se kemi pasur gjithmonë kapacitetin të ndryshojmë pa pritur që të na hedhin njerëzit në kosh, siç na hodhën në 2005-ën që pastaj ne të fillojmë të ndryshojmë. Që nga 2009-a e deri më sot ne kemi vazhduar të ndryshojmë dhe kjo ka qenë dhe kjo është ADN-ja e PS-së”.
“Kijeni parasysh peshën e madhe që kanë këto zgjedhje. Unë mendoj dhe besoj që pavarësisht në skuadrën e deputetëve ose jo, të gjithë ata që janë këtu në këtë sallë, nën këtë çati, jo thjesht këtu të pranishëm se mund të ketë ndonjë që mungon i duhen mandatit tjetër të PS-së. Dhe është për një ditë tjetër skema e re që do të ketë qeveria e PS-së. Po është për një ditë tjetër”, u shpreh Rama.
“Shpresoj të kem qenë i qartë në këto që ju thashë. Procesin jemi duke e përmbyllur me drejtuesit politikë dhe besoj që përpara afatit do ta konkretizojmë që të jetë sa më i plotë dhe që të kemi një pamje sa më të plotë në prezantimin që do t’i bëjmë publikut”, përfundoi Rama fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. /j.p/