E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Të rinjtë në shkollën e Hoteleri-Turizmit në Tiranë do të kenë diplomën e Lozanës

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal në konferencën e fundvitit me gazetarët tek investimet dhe rëndësia që po i kushtohet arsimit profesional, duke theksuar se çdo ditë e më shumë të rinjtë po përgatiten në shkollat profesionale.

Rama u shpreh se “është lajm shumë i bukur që shkolla e Turizmit të Lozanës, që është njëshi në këtë sektor, erdhi në Shqipëri dhe sot fëmijët kur të mbarojnë shkollën e Hoteleri -Turizmit, do të kenë diplomën e Lozanës dhe do të jenë gjenerata e re e shërbimit të mikpritjes”.

“Sot kemi turistë, por nuk kemi akoma shërbimet që do ta ngrenë më lart turizmin, si makinë për të ardhurat për njerëzit këtu”, tha Rama.

Në fakt, vijoi ai, çdo turist që vjen shpenzon në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe shërbime dhe nga ato para, janë shqiptarët që përfitojnë.

“Sot kemi 10 shkolla profesionale dhe 2 qendra profesionale që janë në proces duke u rindërtuar por e rëndësishme është që po rinovohen të gjitha metodat e punës në arsimin profesional. E dhëna inkurajuese është se ka një rritje të interesit për shkollat profesionale dhe rritje të interesit nga punëkërkuesit për trajnime profesionale”, tha ai.

Rama theksoi se, në janar 2025 do të publikohet dhe faqja e re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit, kryesisht për ata në Greqi dhe Itali ku do të kenë të gjitha ofertat e punës në sektorin e turizmit dhe ndërtimit.

“Janë dy sektorë që kush punon në ndërtim këtu do të ketë më shumë të ardhura seç merr në sektorin e ndërtimit në Greqi”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›