E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të rinjve të dhunshëm do t’u ndalohet aksesi në vendet e BE

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka shënuar përparim ekonomik në raport me vendet e rajonit, duke theksuar se zhvillimi arrihet përmes punës dhe bashkëpunimit, jo përmes dhunës.

Gjatë takimit të zhvilluar sot me drejtuesit e sistemit bankar në vend, Rama u shpreh se Shqipëria ka kapërcyer pozicionin e saj të mëparshëm në rajon dhe tashmë është në nivele të krahasueshme me vende që më herët ishin shumë më përpara.

“Ekonomia rritet me punë, nuk rritet me gurë. Ekonomia rritet duke bashkëpunuar, nuk rritet duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit”, deklaroi Rama.

Kryeministri paralajmëroi masa për identifikimin e personave përgjegjës për aktet e dhunës në protesta dhe parandalimin e përsëritjes së tyre.

Ai tha se qeveria do të investojë në teknologji për të identifikuar personat që nxisin ose kryejnë akte dhune, përfshirë ata që përpiqen të fshehin identitetin duke mbuluar fytyrën.

“Duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë gjithë fytyrën, sepse do t’i ndjekim këmba-këmbës përmes teknologjisë. Dhe ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një mesazh për të gjithë ata që janë ende të përfshirë në dhunë, që të largohen nga kjo rrugë, sa nuk është vonë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se deklarata e tij synon të përcjellë një mesazh të qartë për të gjithë ata që përfshihen në akte dhune, duke i ftuar të largohen nga kjo rrugë.

Rama bëri të ditur gjithashtu se qeveria do të bashkëpunojë me vendet e Bashkimit Evropian për të shqyrtuar masa që lidhen me kufizimin e aksesit në këto vende për personat e përfshirë në akte të dhunshme.

“Ne do të ndërhyjmë edhe në trena, në të gjitha mjetet e transportit. Natyrisht, do të bashkëpunojmë me vendet e Bashkimit Evropian dhe e kemi nisur tashmë punën për të ndaluar aksesin në ato vende për njerëzit e përfshirë në akte dhune. Është absolutisht shumë e rëndësishme që të kuptohet se dhuna nuk ka vend dhe nuk do të ketë vend në këtë vend”, tha Rama.

Ai nënvizoi se dhuna nuk duhet të ketë vend në shoqëri, ndërsa e cilësoi punën dhe bashkëpunimin si rrugën për zhvillimin ekonomik të vendit.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›