Rama: TikTok-ut do t’ia mbyllë derën qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllë populli në zgjedhjet e 11 majit

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “TikTok-ut do t’ia mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën një vit qeveria, ndërsa këtij llumi duhet t’ia mbyllni dyert të gjithë ju duke nisur nga dera e parlamentit të ardhshëm”.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve lidhur me zhvillimet e fundit të aktualitetit, Rama tha se “jam dakord me ju se TikTok-u është burim serioz rreziku për sigurinë e vendit dhe fëmijëve tanë, por edhe më i rrezikshëm se llumi i TikTok-ut në ekranet e celularëve është llumi i politikës së shpifjeve e gënjeshtrave, sharjeve, sherreve politike mediatike që nuk u lënë gjë mangët grindjeve të rrugaçëve të lagjes ku më të vegjlit e me te rinjtë e kësja shoqërie janë edhe hallka me kollaj e prekshme nga kultura e ulët që fut në derën e njerëzve gjithë ai llum”.
“Këta shpifarakë e lafarake nuk janë alternativë e shekullit të 21. Këta janë shëmbëlltyra e gjallë e asaj të ligës që e ndjek shtetin shqiptar nga dita e krijimit te tij në 1912. E asaj te ligës që nuk la dy gurë bashkë për ta penguar ndërtimin e një shteti të shqiptarëve për ta penguar ardhjen e demokracisë në këtë vend për ta penguar më pas zhvillimin demokratik të Shqipërisë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u hspreh se “të kuptohemi, unë dhe ne, socialistët në qeveri kemi kusuret tona, more qoftë edhe thjesht sepse siç thotë populli, po të flesh me qenin gdhihesh me pleshta – dhe boll të bashkëjetosh nën çatinë e kuvendit me atë lloj aradheje që një në tre fjalë e kanë sharje, e një në shtatë e ka shpifje, që fjala e popullit të gjej ilustrim besnik. Por ju, qytetarët e këtij vendi, prindërit e këtij vendi, gjyshet e gjyshërit e këtij vendi, duhet me patjetër të mos i merrni lehtë e jo më t’i falni autorët e poshtërsirave kaq të neveritshme dhe të rrezikshme njëkohësisht, si kjo që më nxiti të dal sot para jush; të mos e merrni llumin e kësaj të keqeje të madhe, si një fatkeqësi natyrore që nuk shmanget dot; të mos i lini fëmijët që nuk votojnë akoma në mëshirën e këtyre modeleve të shpifura të bashkëjetesës shoqërore dhe as të mos i harroni, as të mos i toleroni ata që e mishërojnë këtë model, qofshin katranë të mëdhenj e të vjetër, e qofshin ca të ashtuquajtur të rinj e të vegjël, kur të vijë në pranverë, dita e gjykimit tuaj për të gjithë individët e forcat politike, që do t’ju kërkojmë votën për të qeverisur Shqipërinë në katër vitet e ardhshme”.
“Unë kam ndaj jush një borxh që e njoh dhe që nuk lahet kurrë. Por duhet ta dini se, as ju kam tradhëtuar e as do t’ju tradhëtoj kurrë në këtë mision dhe për sa kohë do të më mbani si udhëheqësin tuaj, unë do të jem i juaji, në ditë të mirë e në ditë keqe, siç jam përpjekur me mish e me shpirt ta tregoj gjatë gjithë këtyre viteve, me të gjithë fuqinë e mendjes dhe të zemrës time”, tha Rama.
/k.s//a.f/