E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Trefishuam të ardhurat, paga minimale 500 euro në janar 2026

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Duke iu përgjigjur një qytetari, i cili i shkroi se “ngeli duke gënjyer”, Rama u shpreh se, “për çfarë ekzaktësisht po gënjej”.

“Se ka një arsye tjetër që shumëkush prej jush zhgënjehet shumë kur bëhen zgjedhjet dhe fillon vë kujën “na i vodhën, na i vodhën”. Ose janë dhe disa nga këta të kënetave mediatike, të pasqyrave të kënetës mediatike, që thonë “nuk ia vlen fare të shkosh në zgjedhje se zgjedhjet janë të vjedhura”, por në fakt arsyeja pse shumica e popullit voton PS-në dhe voton për të na dhënë mandat pas mandati, pas mandati, është se këto që ne themi, këto që unë them janë fakte të jetës reale të këtyre njerëzve”.

“Nëse ne themi që kemi trefishuar të ardhurat për frymë dhe nga 3324 euro që ishin, kur ne e morëm detyrën, janë 10342 euro, kjo është diçka që ata që na dëgjojnë dhe që dëgjojnë për të dëgjuar, jo dëgjojnë thjesht dhe vetëm për të sharë pastaj, edhe për të luftuar me faktet e dinë që është kështu, sepse e kanë këtë gjë në realitetin e tyre”, tha Rama.

“Dhe kur themi që pastaj në Shqipërinë 2030 të ardhurat për frymë do të shkojnë 15 mijë euro. Kush ka parë që të ardhurat për frymë kanë ardhur duke u rritur e kupton që të ardhurat për frymë do të rriten”, u shpreh Rama.

“Ose pagën mesatare në sektorin publik. E dinë shumë mirë njerëzit që punojnë në sektorin publik sesa e kishin kur ne e morëm detyrën, ishte 372 euro dhe ky është fakt. Dhe kur unë them që paga mesatare në sektorin publik e thotë INSTAT, por e them duke iu referuar INSTAT-it në 2024-ën arriti në 1000 euro, kjo rezonon me ata që marrin pagë. Ata që marrin pagë e dinë. Tani ata si do bëjnë, do t’i referohen parave që marrin dhe që i numërojnë mirë, apo do t’i referohen bretkosave që bëjnë ‘kua – kua – kua’ në darkë tek pasqyra e kënetës dhe thonë që këto janë gënjeshtra. Kujt do t’i referohen. Se po të ishin gënjeshtra, të jeni të sigurt që jo shumica, po do ishin shumë pak ata që do vazhdonin të votonin. Siç janë shumë pak ata që do vazhdojnë të votojnë bufin e kënetës”, u shpreh Rama.

Prandaj, shtoi Rama, “kur unë them që pastaj që paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 1200 euro në Shqipërinë 2030 kjo gjë është e besueshme sepse kanë parë që paga është rritur”.

“Ashtu sikundër mesatarja e përgjithshme. Ata që punojnë sot në Shqipëri e dinë shumë mirë që pagat janë rritur edhe në sektorin privat. Janë rritur në mënyrë të ndjeshme. E dinë sepse i marrin ato para’. Po të mos i merrnin do thoshin sikter, çfarë po na thua. Po nuk e thonë pikërisht sepse i marrin ato para”, tha Rama.

“Ashtu sikundër dhe kur vjen puna tek paga e përgjithshme mesatare. Ka shkuar në 830 euro paga e përgjithshme mesatare, ka qenë 320. Dhe kur unë them do të shkojë 1000 euro është e besueshme. Patjetër që është e besueshme”, theksoi Rama.

Duke folur për pagën minimale, Rama u shpreh se, “këtë të pagës minimale ne e kemi thënë me kohë po nuk e ka pasur njeri mendjen. E kemi thënë me kohë që në 2026-ën, që pas zgjedhjeve do ta përcaktojmë, se para zgjedhjeve nuk e bënim dot se është e ndaluar me ligjin elektoral. Por pas zgjedhjeve do ta përcaktojmë që do të jetë 500 euro. Madje e kemi thënë edhe mekanizmin sesi do të bëhet 500 euro, duke mos iu kërkuar kompanive për 18 muaj që të paguajnë asnjë detyrim tjetër, përveçse t’iu japin 100 euro plus punonjësve të tyre në muaj”.

Dhe, shtoi Rama, “as më shkon mendja të them që na e kopjuan këtë. Ky është muhabet kot, pasi ka një ndryshim shumë të madh, sepse ato që thotë “këneta” programi i madhështisë, përveç se është një farsë e madhe, ka një falsitet total brenda tij, sepse “këneta” thotë në datën 12 maj të gjitha këto do të bëhen realitet”.

“Ne nuk themi kështu. Ne themi në Shqipërinë 2030 do të arrihen këto parametra. Nuk themi që në 12 maj do të bëhet realiteti minimumi jetik 200 euro. Nuk e themi këtë se nuk do të ndodhë kjo ën datën 12 maj. Do të ndodhë brenda mandatit dhe flasim për pensionet. Do të ndodhë në “Shqipërinë 2030″, pra do të ndodhë gradualisht, gradualisht, gradualisht dhe i kemi bërë shumë qartë llogaritë duke pasur parasysh edhe BE-në. Pastaj si mund të besojnë njerëzit në kënetë, nuk ndodh”, u shpreh kreu i qeverisë.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›