Rama: Statistika për uljen e papunësisë bazohet te forca e punës, jo te popullsia

TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se të dhënat që flasin për ulje të papunësisë në vend nuk bazohen te numri i popullsisë, por te statistikat mbi forcën e punës.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama theksoi se në Shqipëri janë krijuar mbi 300 mijë vende pune.
“Merrni regjistrin shikoni sa të punësuar kishte në Shqipëri kur ne morëm detyrën, 1 milion e 23 mijë me regjistra që paguanin detyrimet. Sot kemi 1 milion e 327 mijë. Këto janë fakte jo muhabete”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri iu përgjigj edhe pretendimeve se nuk është ulur papunësia por është ulur numri i popullsisë.
“Kur flas për papunësinë çohen ca dhe thonë patjetër se është ulur popullsia dhe është ulur papunësia. Nuk bazohet kështu, bazohet te forca e punës sa ka qenë dhe sa është forca e punës. Po të shikosh është ndryshe dhe këtë gjë e thotë INSTAT, jo unë”, shtoi Rama.
Referuar statistikave për vitin 2024, INSTAT bën të ditur se papunësia ra në 8,8% në fund të tremujorit të katërt të vitit 2024. Të dhënat e INSTAT tregojnë se papunësia për të rinjtë shënoi ulje vjetore me 2,1 pikë përqindje.
/r.e/