Rama: Ulëm çmimin e energjisë elektrike si askund tjetër, 53 spitale të reja në të gjithë vendin

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çmimi i energjisë elektrike nuk u ul me 1 lek, por me 10,5%.
Gjatë një takimi me asambletë socialiste të njësive 3 dhe 4, Rama pohoi se në Shqipëri ndodhi ulja e çmimit të energjisë, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë në vendin tonë, por edhe në Evropë. Sipas kryeministrit, ulja nuk është me një lek, por me 10.5 %.
“Ne ulëm çmimin e energjisë që s’ka bërë vaki askund në këto vite dhe në Shqipëri është hera që bëhet një ulje e përgjithshme e çmimit të energjisë dhe çohen këta që hyjnë e dalin në kënetë. Futen në kënetë, pastaj dalin në televizor, në portal. Kanë një shtëpi në qendër në kënetë dhe një shtëpi në plazh në televizor”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te Rindërtimi dhe banesat e reja në të cilat janë futur banorët te 5 Maji, pavarësisht betejave dhe protestave të qytetarëve, sipas tij të nxitur nga opozita dhe këneta, siç e quan Kryeministri.
“Dhe është vetëm një pjesë e punës. Sepse kanë hyrë të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, por është faza tjetër për familjet që kanë shpronësuar. U bë gjithë ajo luftë atje. Një luftë, ku këneta investoi të gjithë zhabat dhe të gjithë bretkosat e veta, ku bretkosat, zhapikët e zhabat u hodhën nëpër dritaret e miletit të shkretë atje, iu futën nëpër dhoma, iu futën në kuzhinë, iu futën në krevat dhe kua, kua, kua, kua e çmendën një pjesë të miletit atje.
I nxorën në rrugë nëpër protesta për disa banesa që ishin Kandahar, që s’kishin lidhje fare as me Tiranën, as me Evropën dhe s’kishin lidhje fare as me apartamentet që ata do të marrin, fare”, u shpreh Rama.
“Por këneta këtë punë ka bërë dhe kush është këtu, dhe këtu ka jo pak që janë me mua në këtë betejë qysh në ditën 1 dhe e dinë shumë mirë se këneta këtë punë ka pasur. E vetmja gjë që ka ndryshuar është që zhabat janë plakur, bretkosat janë sfilitur, zhapikët janë çmendur, por ama aty janë, me bufin në krye, që është si ajo që thotë, “Jep shpirt, po s’heq dorë”. Dhe për gjithë ata që pak kujtesë vënë në lëvizje, po ta bënim këtë mbledhje në 2013, do e bënim me gjenerator”, vijoi Rama.
“Edhe po të ecnim në Tiranë, s’flas te 5 Maji, se aty duhet të ikësh para se të perëndonte dielli, se mund të humbje në gropë, edhe duke qenë 2 metra si puna ime. S’flas për njësinë 4, ku kur errësohej, duhet të gjeje shtëpinë me të pyetur. 78 neonë punonin në Tiranë kur unë kam hyrë në Bashkinë e Tiranës, shtatë-tetë, 78 – 10×7+8, që të jemi të qartë, jo 780 neonë. 78 punonin pa u dridhur, ishin edhe ca që dridheshin, s’merrej vesh a ishin ndezur, a ishin fikur e kishin me dy mendje dhe pjesa tjetër ishte errësirë komplet”, pohoi Kryeministri.
Rama tha se kur Partia Socialiste mori detyrën, kishte 117 mijë subjekte private, ndërsa sot janë 250 mijë.
“Tani si është kjo që ekonomia është më keq, gjërat janë më keq, këtu punët kanë shkuar më keq kur ne sot numërojmë 250 mijë subjekte private, ndërkohë që atëherë ishin 117 mijë? Si ndodh kjo? Si ka mundësi që në këtë vend që qenka shpopulluar komplet dhe paska ngelur vetëm pleq, subjektet private janë më shumë sesa dyfishi, po le të themi dyfish?”, tha ai.
Sipas Kryeministrit, edhe taksimi i pagave është një situatë komplet ndryshe me ardhjen e e PS në pushtet, se në qeverisjet më përpara, ku të gjithë paguanin 10% taksë në pagë.
“Edhe pastruesja në Kryeministri paguante 10% taksë, edhe Kryeministri paguante 10% taksë tek paga. Sot është komplet ndryshe dhe është aq ndryshe saqë 57% e njerëzve që marrin pagë në administratë ose në sektorin privat nuk paguajnë asnjë taksë, tatim mbi të ardhurat po flas, se sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ato secili i paguan për veten e vet, po për shtetin, asnjë. Dhe 36% të tjerë paguajnë 4 deri në 10%, ndërkohë që atëherë të gjithë paguanin 10%. Po çfarë është kjo? Kjo është 140 euro në vit, që prej 10 vjetësh ia kemi lënë njerëzve, 1.4 miliardë që përndryshe do i kishte marrë shteti. 1.4 miliardë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri e vuri theksin edhe te shëndetësia dhe gjithë transformimin që ka pësuar ky sektor në vitet e fundit, me ndërtimin e 53 spitaleve të reja, nga të cilat 10 syresh totalisht të reja që nuk ekzistonin dhe 43 të tjera nga themelet.
“53 spitale, 400 qendra shëndetësore ka sot me ambulanca Shqipëria, ndërkohë që dikur thuhej që atje ka një qendër shëndetësore. Po atje kur shkoje, po të ishe me fat, gjeje një infermier duke pirë cigare. Po të ishe me fat, gjeje një infermier, doktor nuk bëhej fjalë. Dhe në qoftë se gjeje një infermier duke pirë cigare, gjeje edhe një krevat me ndryshk dhe me një batanije ushtarake të kohës së zboreve”, u shpreh ai.
“Tani kemi 400 qendra shëndetësore që kanë infermier, kanë mjek, kanë të gjitha pajisjet e nevojshme për shërbimin parësor që të mos flas për sterilizimin se për sterilizimin gjithë populli ka dëgjuar vetëm që është bërë një korrupsion i madh. Jam sy e vesh për të parë deri në fund rezultatin e procesit, por ama di një gjë, që kur ne e bëmë sterilizimin Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve spitalore në Evropë, domethënë si rregull futeshe në spital për një organ dhe me atë rast merrje dhe një infeksion dhe kjo bënte që pasi të mbaroje punë me operacionin, të rrije dhe ca ditë të tjera për infeksionin dhe paguante populli shqiptar, ndërkohë që po të shohësh sot, të njëjtat materiale që përdoren për operacione, për ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani përdoren dhe në Shqipëri dhe po të shohësh ditët e shkurtuara të qëndrimit në spital për shkak të rënies së infeksioneve, përfitimi nga shteti është ku e ku më i madh sesa gjithë masa e akuzave që janë bërë po akuzat janë temë tjetër, do flas pak më mbrapa”, nënvizoi Rama.
Kryeministri solli në vëmendje dhe investimet në arsim, palestrat në shkolla dhe pallatet e sportit, duke kujtuar edhe kohën kur ai stërvitej në basketboll në palestrën e pallatit të sportit “Asllan Rusi” ku pikonte tavani.
“Kur ne morëm detyrën kishte nja 5 palestra gjithsej dhe ishin palestrat që kishte bërë Partia e Punës për të stërvitur brezin e ri, nuk ishin palestra ..dhe më kujtohet që ishin palestra ku shkonim ne e luanin atëherë basketboll. Të shkojmë te kjo palestra, të shkojmë te ajo palestra se pikonte tavani i Asllan Rusit, quhej pallati i sportit Partizani në atë kohë dhe mblidhej në pellg atje i vogël, në mes të pallatit dhe shkonim tek këto palestrat.
Sot nuk ka më shkolla pa palestra dhe më kujtohet një drejtor i ZA në Fushë-Krujë ku për shkak të tërmetit u bënë gjithë ato dëmtime shkollash e më tha: kryeministër- më tha, e keni ekzagjeruar një çikë se kemi më shumë banjo se në të gjitha katundet rreth e rrotull”, cilësoi Rama. /j.p/