E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Dumani ka qenë prokuror i “21 Janarit”, s’luftonte dot korrupsionin se drejtësia ishte e kapur

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/- Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit live me komentuesit në rrjetet sociale i ktheu përgjigje edhe atyre që i kërkojnë dorëheqjen.

“Për çfarë arsyeje për shembull se është shumë interesant kjo punë, bëhu si burrë jep dorëheqje. Për cilën arsye? Nuk dua ta diskutoj më sot çështjen. Pra me çështjen do merremi me shumë maturi dhe do ndërtojmë një pozicion shumë konstruktiv publik, të hapur sepse e thashë që kjo është e domosdoshme”, tha Rama lidhur me arrestimin e Veliajt.

Rama nënvizoi se Partia Socialiste është forca që e çliroi drejtësinë nga politika duke sjellë në vëmendje faktin se Kreu i SPAK, Altin Dumani më parë ka qenë prokurori i 21 Janarit, por e ka pasur të pamundur luftën kundër korrupsionit sepse atëherë drejtësia ka qenë e kapur.

“Si ndodhi kjo? Se duhet thënë si ndodhi? Ra nga qielli kjo? Altin Dumani për shembull që është drejtues i SPAK, e ka pasur “21 Janarin” në tavolinë edhe më parë kur ka qenë në një prokurori të zakonshme. Ka qenë prokuror i “21 Janarit”. Ka pasur mundësi ta luftojë korrupsionin edhe atëherë. Dini gjë që të ketë bërë ndonjë luftë kundër korrupsionit që t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani? Jo sepse ka qenë e pamundur jo vetëm për të, por për të gjithë sepse drejtësia ka qenë e kapur. Sot drejtësia, doni s’doni ju, apo ata që bëjnë kuakuakua dhe ata që u shkojnë nga mbrapa, me profile false apo me verbërinë e fanatikut që lahet në kënetë dhe kujton se po lahet në det, drejtësinë e ka çliruar nga kontrolli i pushtetit politik forca politike që unë kam privilegjin të udhëheq”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›