E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Vijon çlirimi i hapësirave publike

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike të zëna paligjshmërisht vijon pa ndalim.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga puna e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjekte private për qëllime biznesi, apo ato që lidhen me ndërtimin e paligjshëm.

Kreu i qeverisë të dielën, gjatë podcastit “Flasim”, u shpreh se “mandati i katërt ka nisur dhe do të bitiset me një përkushtim të posaçëm për hapësirat publike, zonat turistike, parqet kombëtare, mjedisin në tërësi. Rama paralajmëroi edhe ndryshime në bazën ligjore të betejës kundër antiligjit në ndërtim

Këto ndryshime sipas Ramës, janë mishërim i këtij përkushtimi për t’ia kthyer hapësirat publike qytetarëve e komuniteteve, për t’i çliruar trotuaret e sheshet e lagjeve nga zaptimet, për të mbrojtur pasuritë dhe bukuritë vendit nga zaptuesit e nga grabitësit.

Pak ditë më parë, Kryeministri Rama njoftoi se një ndër masat e reja për forcimin e kontrollit mbi territorin është edhe krijimi i një “liste të zezë” për shkelësit e lejeve të ndërtimit, e cila do të përjashtojë nga marrja e lejeve për 5 vite individë dhe kompani që shkelin ligjin.

Kjo listë do të përfshijë zhvillues, shoqëri, administratorë, ortakë dhe pronarë përfitues, dhe do të mbahet e përditësuar nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit.

Nisma për lirimin e hapësirave publike ka nisur nga zbatimi në muajin korrik dhe po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit. Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.

Ndërkohë, një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.

Deri më sot në këtë portal janë raportuar 13 192 raste, nga të cilat janë zgjidhur 9 712 raste, ndërsa 3 480 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›