Rama bën bilancin e OFL-ës: Janë goditur 30 grupe kriminale e 1713 pasuri, jemi pranë mesatares së BE

Kryeministri Edi Rama tha sot se OFL ka sekuestruar 1713 pasuri kriminale, ka referuar në SPAK 223 raste, si dhe ka goditur 30 grupe kriminale. Këtë deklaratë e tha gjatë fjalës së tij në konferencën e përjavshme “Ekonomia në fokus”,
Sa i përket numrit të vrasjeve, kryeministri Rama deklaroi se gjatë periudhës janar-nëntor 2020 janë regjistruar 7 vrasje më pak se vitin e kaluar.“Ka vijuar intensivisht lufta kundër krimit të organizuar. Kulmi i kësaj lufte ka qenë veprimtaria e OFL, që aktualisht numëron sekuestrimin e 1713 pasurive dhe referimin në SPAK të 223 rasteve. Ndërkohë, 103 anëtarë të organizatave kriminale janë arrestuar dhe janë 30 grupe të goditura, si dhe 628 pasuri të sekuestruara. Nga ana tjetër, edhe këtë vit numri i vrasjeve me dashje vijon të jetë në rënie, janar-nëntor 2020 ishin 45 vrasje, 7 më pak se vitin e kaluar. Në vitin 2012 kemi pasur 126 vrasje, sot kemi 2.5 herë më pak. Nëse i referohemi mesatares së disa viteve përpara se sa të merrnim detyrën, jemi gjysmë për gjysmë. E keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund, por nga një vend ku kishte mesatarisht 1 vrasje në cdo 2-3 ditë, kemi një vend që po stabilizohet pranë mesatares së BE”, u shpreh kryeministri.
Teksa fliste për Reformën në Drejtësi, kreu i qeverisë tha se deri më tani janë 202 gjyqtarë e prokurorë që nuk e kaluan procesin e vettingut dhe se janë konfirmuar 118. Ai deklaroi se ata do të japin përgjigje përpara drejtësisë.
“Dua të ndaj me të gjithë faktin se procesi i ndërtimit të një drejtësie nuk zhvillohet sa hap e mbyll sytë. Nëse shohim bilancin, mendoj që ka arsye për të qenë vërtetë optimistë për të nesërmen. Reforma në drejtësi ka nisur me pastrimin e zullumit të grumbulluar me dekada në sistemin e drejtësisë. Nëse shohim shifrat e këtij procesi, ajo që thashë konfirmohet. Arsyeja për të qenë optimist për të nesërmen. Deri sot janë rivlerësuar duke kaluar 322 individë nga të cilët më shumë janë shkarkuar dhe larguar nga sistemi se sa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtëpërdrejtë dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me vetëdijen e mundësisë për të kaluar filtrin. Vetëm 118 janë konfirmuar. Kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka të bëjë me atë që pyesin, çfarë ndodh me të larguarit. Ne ndërkohë paralelisht me pastrimin ka vijuar dhe po konsolidohet procesi i ngritjes së sistemit të drejtësisë. Ata që nuk kanë justifikuar pasuritë marramendëse, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Përgjigja përpara drejtësisë, do të konfirmohet dhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë.” u shpreh kreu i qeverise.