E Martë, 3 Nëntor 2026

“Rama dhe Veliaj sulm të koordinuar SPAK”, Bardhi: PS po mbron mandatin e deputetes Xhaçka

Kryetari i Grupit Parlamentar të  Rithemelimit, Gazment Bardhi ka akuzuar mazhorancën se në mënyrë të koordinuar po sulmon drejtësinë.

Në një konferencë për median, Bardhi deklaroi sulmet ndaj drejtësisë nga mazhoranca bëhen për  mandatin e Olta Xhaçkës, ku PS nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj sulmuan institucionet e drejtësisë, ndërsa shtoi se sulmi prej tyre ka qenë i organizuar.

“Dua të shpreh shqetësimin për sulmin që mazhoranca i bën drejtësisë. Padyshim që nervozizmi i shtuar i kryeministrit në raport me hallet që e kanë zënë me drejtësinë për shkak të keqqeverisjes ka bërë që nga i vetëshpallur si njeriu që mbështeste drejtësinë në anatemuesusin e këtyre institucioneve”.

Sipas tij ka qenë skandali me dosjen 5D në Bashkinë e Tiranës, akuzat e opozitës ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për përfshirje në trafik narkotikësh lidhur me zbulimin e laboratorit të drogës në Xibrakë, si dhe rasti i djeshëm ku u diskutua mbi mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka.

Kemi parë një sulm të koordinuar të kryetarit të bashkisë së Tiranës sa i takon korrupsionit të padëgjuar në bashkinë e Tiranës, u shpreh Bardhi, ku ekipi i kryetarit të bashkisë ishin përfshirë në një skemë korruptive ku paratë ia kalonin kompaninë ne pronësi të tyre.

“Kulmi i këtij sulmi të koordinuar arriti kulmin dje që jo për llogari të Olta Xhaçkës, por për llogari të Edi Ramës sulmuan hapur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, madje duke shpallur atë se gjykata nuk i imponohet dot Kuvendit”, tha Bardhi.

Bardhi bëri apel për ata që kanë mbështetur reformën në drejtësi që të reagojnë pasi moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të ishte një precedent i rrezikshëm.

“I bëj apel cilido që ka mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi që të reagojë sot sepse nëse praktika e moszbatimit të sipas dëshirës së  vendimeve të drejtësisë do të ishte një praktike e rrezikshme që do të hidhte në erë parimet që udhëheqin një shtet ligjor.

Gjithashtu Bardhi ka reaguar dhe për bojkotin Komisionin Hetimor për Check-Up nga deputetët socialist, duke shtuar se ka njoftuar partnerët ndërkombëtarë që nxitën dialogun mes Rithemelimit dhe mazhorancës.

Ai deklaroi se do t’i përgjigjen me çdo mjet demokratik që lejon kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit për të mos lejuar asnjë pengim të hetimit parlamentar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›