E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama dhe Veliaj sulmojnë Berishën

Kanë gjetur të njëjtën ditë për të reaguar në lidhje me analizën 7-mujore të qeverisë ‘Berisha’. Duke përdorur pak a shumë të njëjtën gjuhë, një vijë logjike dhe duke iu referuar të njëjtave të dhëna, Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë sulmuar dje kryeministrin Sali Berisha shumë ditë pas konferencës së famshme. Veliaj dhe Rama kanë sulmuar fillimisht Berishën, më pas Televizionin Publik dhe në fund kanë bërë një analizë të situatës duke iu referuar raporteve të instancave ndërkombëtare.

Rama

“Para pak ditësh, kryeministri Sali Berisha dha një nga shfaqjet e tij më delirante në krye të qeverisë gjatë një të ashtuquajture analizë shtatëmujore, e cila u pasua nga një speciale e turpshme e Televizionit Shqiptar me titullin “7 muajt që ndryshuan Shqipërinë”. Partia Socialiste reagoi zyrtarisht ndaj kësaj shfaqjeje të padenjë për një kryeministër që jeton në Evropën e vitit 2008 dhe ligjëron si një agjitator i periudhës bolshevike, i cili gënjen, gënjen dhe vetëm gënjen”, - thuhet në deklaratën e Edi Ramës.

Rama i është referuar në konferencën e tij raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rama e ka akuzuar Berishën për lidhje direkte me aferën e Gërdecit. “Në këto shifra lexohet fare qartë sesa larg është Shqipëria reale e plagëve dhe halleve të mëdha nga Shqipëria e broçkullave të pambarimta të Sali Berishës e të suksesit imagjinar të njeriut më të paaftë që e ka qeverisur atë ndonjëherë. Shifrat konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundi në Bashkimin Evropian. Në treguesin e korrupsionit Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbajxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë.

Raporti nuk thotë se çfarë ka ndikuar më shumë në këtë vlerësim tejet negativ, përhapja endemike e korrupsionit në çdo kontakt me administratën shtetërore(?), rritja e dukshme e korrupsionit famëkeq në administrimin e fondeve publike(?), shpërthimi vullkanik i korrupsionit në Gërdec apo implikimi i vetë kryeministrit në këtë turp të pashembullt të qeverisë shqiptar (?)”, - tha Rama.

“Raporti konfirmon përmes shifrave se treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, është përkeqësuar në mënyrë alarmante. Ky tregues është dukshëm nën nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta, ai as nuk mund të krahasohet me atë të vendeve me të ardhura të mesme, ku llogaritet Shqipëria, dhe aq më pak me vendet e pranuara rishtas në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria synon të integrohet. Kjo është e vërteta mbi gjendjen reale të Shqipërisë së sotme, ku s'mund të kemi më shumë dinjitet, investime e vende pune, po vetëm më shumë andralla për shkak të moszbatimit të ligjeve e të mungesës flagrante të barazisë para ligjit dhe më shumë papunësi e plagë sociale”, - vijoi Rama.

Veliaj

“Pak ditë më parë, në pikun e vapës, qytetarëve të këtij vendi iu desh të dëgjonin disa broçkulla të kryeministrit, sipas së cilave, nën udhëheqjen e tij Shqipëria na qenkësh shndërruar në një parajsë të vërtetë. Sjellja e këtij fosili të regjimit totalitar, i ngjasonte një parodie të TVSH se viteve të komunizmit, ku trumbetoheshin arritjet imagjinare, ndërkohë që njerëzit vuanin për bukën e gojës. Sepse sot, pas më shumë se tre vjetëve në qeverisje, Berisha mundohet të nxjerrë dhjamë nga pleshti, duke tentuar të trumbetojë si ‘ndryshime histerike’ ato pak zhvillime që nuk ka arritur t’i prishë me sukses”, - e nisi deklaratën drejtuesi i G99, Erion Veliaj.

“Sot, pas më shumë se tre vjetëve me ‘duar të pastra’ raporte e deklarata, nga ‘Transparency International’, Banka Botërore, BE, CIA, e diplomatë të Shteteve të Bashkuara, tregojnë qartë se situata e korrupsionit në vend vetëm sa është përkeqësuar. Dhe qytetarët shqiptarë, që e mbajnë këtë peshë çdo ditë mbi supe, po e kuptojnë tani më mirë se raportet, se në 2005 vetëm sa paskemi ndërruar disa të korruptuar me disa të korruptuar të paaftë. Kryeministri i Gërdecit, përgjegjës i drejtpërdrejtë për dështimin korruptiv të të gjitha strukturave të shtetit, çka solli vdekjen tragjike të 26 qytetareve, gjen kurajën të flasë për arritje në menaxhimin e krizës, në të njëjtën ditë që ministri i tij thotë që Gërdeci është një bombë që ende mund të shpërthejë. Dhe që dje në fakt shpërtheu, fatmirësisht pa viktima! Sot, pas 3 vjetësh në pushtet, Berisha duhet të kuptojë njëherë e mirë se nuk mund t’i trajtojë qytetarët e Shqipërisë si të ishin një turmë injorante dhe të fyejë inteligjencën e tyre duke vazhduar të premtojë se do të bëjë sivjet atë që nuk ka arritur të bëjë në tre vite qeverisje. Ky është viti, kur kryeministri duhet t’iu japë llogari taksapaguesve shqiptarë për ato që ka bërë deri tani dhe jo të premtojë një të nesërme që nuk vjen kurrë. Ai duhet të japë llogari për dështimet e qeverisë së tij në të gjitha pikat e premtuara me aq bujë në 2005”, - tha Veliaj. “Asnjë fjalë nuk dëgjuam nga ‘Doktori’ për sistemin tonë të sëmurë të shëndetësisë që vazhdon të vuajë për gjëra bazike, si higjienë e ilaçe. Kryeministri trumbeton një rritje rrogash e pensionesh që është jo vetëm e pavërtetë në shifra, por një tallje e mirëfilltë me shumicën e qytetarëve, të cilët shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave për ushqime, energji, e shëndet, të gjitha shpenzime që janë bëre disa herë me të shtrenjta se rritja imagjinare e të ardhurave”, - vijoi më tej Veliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›