Problemet nga rikthimi i Pollos dhe Shehut
Letër drejtuar Sekretarit Organizativ të PD për shkelje të normave statutore
I nderuar Flamur. Po të drejtohem në cilësinë e Sekretarit Organizativ të PD dhe të vetmit institucion të besueshëm që ka lidhje diskrete me kryetarin e partisë sonë, kryeministrin, Sali Berisha. Më duhet të të njoftoj se, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së PD, do të çoj çështjen në Komisionin e Disiplinës së PD lidhur me mosrespektimin e statutit të kësaj partie nga disa organe drejtuese, ku përfshihet dhe institucioni i kryetarit. Gjatë tre vjetëve në pushtet, Këshilli Kombëtar është mbledhur vetëm një herë, kurse Kryesia vetëm tri herë. Ndërkohë, sipas statutit, Këshilli duhet të mblidhet çdo tre muaj dhe Kryesia çdo muaj. Po ashtu, sipas statutit të PD, gjysma e degëve duhet t’i kishin bërë zgjedhjet e reja që në vitin 2007, por ende nuk janë bërë asnjë palë zgjedhje. Dega e Tiranës, e cila ka dhe bilancin më katastrofik se të tjerat, jo vetëm që s’ka bërë zgjedhje, por nuk ka analizuar as humbjen në zgjedhjet lokale. Siç dihet, kryetari i saj është ministri më i rëndësishëm i qeverisë, ndërkohë që ne të tjerët, që kemi luftuar natë e ditë për demokracinë brenda PD, nuk jemi të përfaqësuar as në parti, as në qeveri. Shpresat që patëm për ndryshime muajin e fundit, u shuan dhe, si për të shmangur debatin, kryetari i PD ka shmangur për herë të parë në historinë e PD mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar ndryshimet. Ne u njoftuam nga media për ndryshimet në qeveri dhe më e bukura është se kryeministrit i ishte fiksuar që e kishte bërë mbledhjen e Kryesisë. Kur foli me median, ai tha se “ne kemi vendosur të bëjmë disa ndryshime”, ndërkohë që ne s’dinim gjë fare se ç’ndryshime do të bëheshin.
Unë mendoj se PD duhet të bëjë një analizë të thellë të kësaj situate dhe duhet të nxirret përgjegjësia, përse është shkelur statuti dhe kush është përgjegjës për këtë. Ne e kuptojmë që kryeministri ka shumë punë për të bërë, por njerëzit afër tij duhet të mbajnë përgjegjësi për këto neglizhime. Për këtë arsye unë mendoj që përgjegjës për mosfunksionimin e PD nuk është vetë zoti Berisha, por zoti Olldashi me zotin Patozi dhe zonja Topalli. Kjo treshe, që ka uzurpuar gjithë pushtetet, i ka mbushur mendjen Berishës të shmangë institucionet e partisë dhe të injorojë kërkesat tona për ndryshime në qeveri. Kjo ka rritur shumë shqetësimin tonë dhe në kërkojmë që të dalë përgjegjësia, natyrisht, pa prekur zotin Berisha, por ata që ia kanë rekomanduar këtë shkelje statuti.
Ndërkohë, kërkoj nga ty, në cilësinë e Sekretarit Organizativ, t’iu japësh përgjigje dhe zërave në shtyp për grupe dhe përçarje brenda PD. Dikush i etiketon njerëzit si grupi i Bamirit, dikush si grupi i Jozefinës dhe të tjerë akoma më keq, si sekt holandez. Këto janë shpifje dhe trillime. Unë nuk njoh asnjë grup të tillë, njoh vetëm njerëz që i mban afër doktori dhe njerëz që nuk i mban afër. Të tjerat janë kot. Ju duhet të ndërhyni, që t’iu jepen fund këtyre spekulimeve. Për këtë unë propozoj që ju, në cilësinë e Sekretarit Organizativ, t’i tërhiqni vërejtje Komisionit të Disiplinës për mosveprim ndaj shkeljeve të statutit dhe të shkohet më tej me ndëshkime dhe për postet e tyre zyrtare. Se kam frikë, kështu si po degradon PD, ndonjë ditë do më ndalojnë të hyj në mbledhje kryesie duke më kërkuar dokumentin që jam anëtar Kryesie dhe ne nuk kemi ndonjë të tillë.
Jam po ashtu i shqetësuar nga zërat se Pollo dhe Shehu do rikthehen në PD. Unë e kam shumë problem këtë kthimin e Pollos, pasi ai na ka lënë në ditët më të këqija në vitin 1999 duke na ngulur thikën pa shpine dhe duke tentuar të na eliminojë politikisht në vitin 2001, duke na marrë dhe siglën. Por inati im është parimor. Kam besim se ti s’duhet ta kesh më problem Tritan Shehun, se që nga vitit 1996 askush nuk e ka imituar më mirë atë burrin se ti, pas Tritanit. Tritani në atë kohë e imitonte tamam, në gjeste, në zë dhe mendime. Aq tamam e imitonte, sa e mbajtën peng në stadium në Lushnjë, se, kur e dëgjuan, menduan se ishte doktori. Prej atëherë ti je i vetmi që ke arritur ta imitosh atë burrin njësoj në gjeste dhe fjalor. Por ti e ke më lehtë, se je nga Veriu, kurse Tritani ishte nga Gjirokastra. Kështu që ta them dhe privatisht, rikthimi i tij do të jetë një kërcënim serioz dhe për ty. Për këtë të ftoj të jemi aleatë në këtë betejë, për t’i rikthyer legjitimitetin PD dhe për t’i prerë rrugën spekulimit më një hapje të re si ajo e vitit 2005, të cilën, siç po e sheh, po e paguajmë ne që kemi kontribuar realisht për PD.
Me shpresë se vendimi yt do jetë vendimtar për të ardhmen e demokracisë në PD