E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama dhe bashkëshortja e tij Linda në 10-vjetorin e “Newsbomb”

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama ishin të pranishëm në festën e 10-vjetorit të “Newsbomb” organizuar nga drejtuesja Anila Basha.

Rama shprehu mirënjohje dhe respekt për punën e gazetarëve, e veçanërisht për rezistencën e pashoq të Anila Bashës për të qenë pjesë e rëndësishme e medieve, të cilën e vlerësoi dhe e evidentoi.

“Tani nuk e kuptoj pse duhet të dilja. Unë erdha për të shoqëruar gruan me thënë të vërtetën. Mua këtu treçereku s’më shikojnë dot me sy, ti më nxjerr këtu përpara. Ça të them, për çfarë duhet të flas?” – u shpreh Rama.

Anila Basha iu përgjigj duke thënë se: “Është fillimi i vitit dhe mund të ishte një mesazh shumë i mirë… Ai treçereku që s’të shikon dot, mund t’i kthehet mendja”.

Rama iu përgjigj duke vijuar po me batuta: “Mos t’iu kthehet mendja, të qëndrojnë fort aty ku janë, të këmbëngulin fort dhe të bëjnë gjithçka për të më rrjepur lëkurën. Kam shtatë, deri tani vetëm lëkurën e dytë keni kapur, kam edhe pesë të tjera, kështu që si të doni, nuk ka asnjë problem për mua. Unë jam komplet jashtë loje këtu. E vetmja gjë që mund të bëj për ju, për treçerekun është të mos mbaj fjalim. Kjo është e vetmja gjë që mund të thoni, këtë na e bëri se kush e duronte edhe një fjalim tjetër.

Por, meqë dola këtu për të marrë fjalën, për të thënë të vërtetën, duke dëgjuar edhe unë Anilën kam menduar se shpëtuam nga Anila, kur doli kështu e pavarur, thashë të paktën një na iku. Por nuk iku. Është këtu me revistë, me portal, me të gjitha të zezat. Respekte! Respekte për rezistencën! Kam respekt pavarësisht se mund të mos ndaj me ta të njëjtat opinione. Më lejo të të shpreh edhe respekte në emër të presidentit që është këtu i pranishëm, z. Armand Duka. E di se ti atë ke president e kryeministër, kurse ne të tjerët jemi kështu mish për top, ku të na kafshosh, në kuptimin figurativ. Faleminderit të gjithëve për durimin dhe këto buzëqeshjet po më duken shumë, tmerrësisht të pasinqerta. Po e le mikrofonin që të mos merreni shumë me mua. Është e vërtetë që unë prodhoj shumë kontent për këta”.

Në mbrëmjen festive morën pjesë edhe shumë miq, kolegë e bashkëpunëtorë.

Ishte një mbrëmje ku të gjithë u ndjenë të barabartë, duke dhënë hijeshi e elegancë një eventi fantastik.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, siç e do zakoni shqiptar, qëndroi deri në fund të mbrëmjes, duke shijuar çdo moment të kësaj feste të kuruar deri në detaj nga Anila Basha.

Politikanët dhe personalitetet e tjera të pranishme lënë për një natë pas dallimet e tyre politike. Në këtë mbrëmje nuk kishte ngjyra politike, por vetëm një qëllim: të festonin dhe të gëzonin për një dekadë suksesi të “Newsbomb”.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›