Rama-diasporës: Vendosni anën e pasme të kartës së identitetit që t’ju miratohet regjistrimi nga KQZ

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, u ka bërë sërish thirrje shqiptarëve të diasporës të regjistrohen në platformën elektronike PER të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke u fokusuar tek ata që iu është refuzuar regjistrimi për shkak të pasaktësive.
Rama përmes një ilustrimi të kartës së identitetit në një fletë të bardhë për votuesit nga jashtë, u shpjegoi se një nga arsyet e refuzimit të kërkesës për regjistrim, është për shkak të vendosjes së anës së gabuar të kartës.
“Një porosi kam unë për shumëkënd në diasporë që akoma nuk i është aprovuar regjistrimi. Kjo është karta e identitetit të gjithëve atyre që nuk iu është aprovuar regjistrimi, në një pjesë të madhe i është bllokuar për shkak se e kanë vënë nga ana e parme kartën. Mirëpo regjistrimi kërkon adresa dhe adresa është në pjesën e pasme të kartës. Do ju lutesha shumë atyre që nuk i është aprovuar nga platforma e KQZ regjistrimi, duhet ta vendosin kartën nga pjesa e pasme ku është edhe adresa”, tha Rama në bashkëbisedimin e së enjtes, në platformat sociale.
Kryeministri iu përgjigj një tjetër komentuesi që i tha se “shqiptarët kanë qenë të poshtëruar dhe të turpëruar ndër shekuj”.
“Të poshtëruar me dekada dhe shekuj, unë këtë emër i vë kësaj. Ndërsa, të turpëruar nuk e di ku e hodhe llafin, por ja ku jemi! Kemi dritaren e hapur dhe na duhet deri në vitin 2027 ta mbyllim këtë punë dhe pastaj t’i japim kohë vendeve anëtare që të na miratojnë si vend anëtar të ri të familjes evropiane në familjen e tyre. Janë 27 vende,” pohoi Rama.
“Juve të Instagram-it shani fort se ju jeni të paduruar! Edhe mua padurimi më mban në këtë pikë jemi njësoj, por mos harroni një gjë: shani sa të doni, por në fund votën për PS-në, e dini pse? Për një gjë shumë të thjeshtë, se vetëm ne e mbyllim këtë punën e Evropës dhe pastaj kur t’ju jap pasaportën ku aty siç është pasaporta Republika e Shqipërisë sipër të jetë e shkruar, European Union, aty pastaj jeni të lirë, do të shpëtoni dhe nga unë dhe bëni çfarë të doni. Shihni e bëni, po deri aty, ama votën mua dhe PS, sharjen mua, por edhe votën’’, përfundoi Kryeministri. /j.p/