Rama falenderimet e fundit për mbështetësit, para mitingut final tek Nënë Tereza
Orët para finalizimit të mitingut përmbyllës në Tiranë, kreu i selisë rozë i ka shfrytëzuar për takime me banorët, por dhe vullnetarët socialistë në njësitë e kryeqytetit. Gjatë ndalesës në njësinë numër 1 në kryeqytet lideri i socialistëve ftoi të gjithë banorët të mblidhen në sheshin Nënë Tereza, duke u shprehur i bindur për fitoren e së majtës më 23 qershor.
Me shumë mirënjohje për gjithë përpjekjen tuaj, duke ju siguruar që gjithë ky mund i madh dhe gjithë kjo energjie e derdhur do të sjellë rilindje për vendin tonë dhe shoqërinë tonë, unë dua tju garantoj po ashtu që qysh tani duket qartë që fitorja është e jona. Por fitoren do ta festojmë vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi dhe kur gjithçka do të ketë marrë fund. Deri atë moment ne do të bëjmë me mundim dhe me pasion punën që kemi marrë përsipër karshi njerëzve dhe karshi vendit. Puna e parë për tu bërë tani është që sot të jemi të gjithë tek sheshi Nënë Tereza për mitingun e madh të Tiranës- theksoi Rama.
Më pas Rama është zhvendosur në njësinë nr 5, ku ftoi banorët të angazhohen përgjatë ditëve të mbetura për të zgjuar edhe votuesin e fundit, për rilindjen e vendit.
Partia Socialiste do të zhvillojë sot në orën 19:30 mitingun përmbyllës në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë.