E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fut PS-në në kaos

06-05-2013 / Gazeta 55

Dita e fundit e hartimit të listës së kandidatëve socialistë po shoqërohet me një kaos që rrezikon shpërbërjen e gjithë faktorëve që kanë ngritur ngrehinën ylberiste që drejton Edi Rama. Njoftimet për përjashtime pa arsyetim kanë sjellë protestën publike të FRESSH-it, i cili ka paralajmëruar shkëputjen nga PS, nëse kryetarja e tij s’përfshihet në listë. Shumica e anëtarëve të kryesisë ka njoftuar se do votojë kundër propozimeve, ndërkohë që s’është e qartë nëse Edi Rama do e çojë deri në fund vendosmërinë për paraqitjen e një liste thellësisht private

Kaosi mbretëron frikshëm në Partinë Socialiste. Edi Rama po qëron një e nga një deputetët kundërshtarë të linjës së tij. Pavarësisht kontributeve apo viteve në Partinë Socialiste, Edi Rama po përdor si kriter besnikërinë dhe bindjen qorre.
Nuk mjafton të kesh qenë kontribuues në grevën e urisë apo anëtar organizativ i qindra protestave apo demonstratave të dhunshme, pasi në fund ajo që vlen janë llogaritë cinike të një lideri pa lidhje me Partinë Socialiste. Në fakt deputetët që ishin në grevën e urisë, si Kadeli, Hasa apo Dogjani, mos kandidimin me Partinë Socialiste e kanë mësuar dy muaj më parë, fiks në ditën kur Edi Rama futi në PS njerëz pa lidhje shpirtërore dhe funksionale me socialistët.
Megjithatë me këtë logjikë, Partia Socialiste do të jetë partia e vetme e majtë në Europë që do të ketë në gjirin e saj më pak socialistë në grupin e saj parlamentar. 
Nuk mund të bëhet socialist 24 karat për një ditë Alfred Peza, Evis Kushi, Ilirian Celibashi apo Parid Cara që në dy dekadat e fundit janë marrë me punë të tjera, nganjëherë të kundërta me interesat e Partisë Socialiste.
Hedhja në koshin e plehrave të pa riciklueshme të kontributeve në protesta, greva urie dhe demonstrata në të cilat deputetët “kokëprerë” kanë rrezikuar personalitetin, dinjitetin dhe pasurinë është një kafshatë e pakapërcyeshme.
E ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht i orëve drejt përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet në KQZ, një grup të rinjsh të FRESSH ka kërkuar që kryetarja e këtij forumi Elisa Spiropali dhe deputeti Erjon Braçe të jenë në emrat e sigurt fitues përndryshe do të protestojnë dhe në rastin më të keq do shkojnë tek faqezinjtë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ata kanë kërcënuar se në rast se kryesocialisti Edi Rama nuk dëgjon kërkesën e tyre, ata do të nisin një aksion bojkotimi masiv të fushatës dhe të zgjedhjeve nga çdo i ri socialist. “Ne, një grup të rinjsh të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, opozitarë dhe kontributorë gjatë gjithë këtyre viteve opozitë jemi shumë të shqetësuar në lidhje me procesin e përzgjedhjes së deputetëve nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste. Si një grup i madh të rinjsh që mbështesim Partinë Socialiste dhe FRESSH, kërkojmë që në Parlamentin e ardhshëm të përfaqësohemi denjësisht nga dy njerëz frymëzues për ne, Elisa Spiropali dhe Erjon Braçe. FRESSH si një pjesë e rëndësishme dhe shumë e madhe e Partisë Socialiste kërkon dhe duhet të përfaqësohet nga Kryetarja e saj, Elisa Spiropali dhe deputeti Erjon Braçe, i cili ka qenë zëri më i spikatur i opozitës shqiptare! Ne bëjmë me dije se në rast se në Parlamentin e ardhshëm nuk do të jenë këta dy figura që përfaqësojnë interesat e shumicës së të rinjve eurosocialistë dhe atyre shqiptarë, deklarojmë se do të protestojmë ditën e nesërme përpara selisë së Partisë Socialiste dhe do të angazhohemi për një aksion bojkotimi masiv të fushatës dhe të zgjedhjeve nga çdo i ri socialist”, thuhet në deklaratën e FRESSH.
Gjithashtu pakënaqësi kanë edhe tek aleatët e përhershëm të PS, Gjinushi e Milo që janë rropatur në qindra protesta, përballje dhe aventura refuzojnë të shikojnë të parakalohen në preferencën e listave të sigurta të PS. Një ndjenjë dashurie-tradhtie përshkruan raportet e Edi Ramës me grupin parlamentarë të PS, me aleatët dhe me këshilltarët që përbëjnë rrethin e ngushtë të vendimmarrjes së opozitës.   
Sidoqoftë ditët e fundit janë shtuar edhe më shumë përplasjet dhe mosbesim brenda PS sepse Edi Rama ka krijuar një situatë kaosi në grupin parlamentar që po i mbaron mandati. Të përjashtosh opozitarët me të zëshëm në parlament që i janë gjendur Ramës në ditë të vështira, është një shenjë e pabesie pa kufi moralë. Dalja duarsh e situatës në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale, është sinjal i një dobësie strukturore të Partisë Socialiste që pas 8 vite në opozitë s’po di të menaxhojë as besueshmërinë dhe as kreditë politike. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›