E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomeni “Selami”, si rikthim i merituar i estetikës dhe filozofisë në politikë

06-05-2013 / Nga Qamil Gjyrezi

Mitingu i 22 marsit, dita e demokracisë, më ngacmoi për ta shkruar këtë punë të vogël politiko-filozofike. Pjesëmarrja në politikë e estetëve të vërtetë dhe e demokratëve të vërtetë e zbukuron dhe e forcon politikën dhe bio-politikën, politikën moderne dhe i jep shanse PD-së për ta qeverisur Shqipërinë edhe katër vite. Në panelin e asaj dite shumë të rëndësishme për demokracinë ishte edhe Ed Selami, një ndër themeluesit e PD-së. Me të vërtetë politika nuk është filozofi e psikologji, por politika ka nevojë shumë për filozofë të politikës siç është Eduard Selami. Unë nuk e kam takuar Selamin ndonjëherë, por profili i tij si politikan dhe filozof më ngacmoi që të shkruaj këto dy rreshta. Në fillimet e demokracisë figura e Selamit qëndronte lart dhe jepte mesazhe shprese për të gjithë neve demokratëve krahas figurave të tjera të PD-së siç ishte Berisha etj.
Pjesëmarrja e zotit Selami me figurat më të rëndësishme të PD-së më aktivitetin e 22 Marsit të këtij viti i dha ton dhe grintë panelit politik të PD-së, që kërkon mandatin e tretë për të qeverisur Shqipërinë dhe për të realizuar integrimin. Ka ardhë momenti se nëse në fillim të demokracisë Selami kishte nevojë për PD-në, tashti është PD dhe politika që ka nevojë për profilin e tij dhe figurën e Selamit, të zhvilluar politikisht shumë në emigracion në vendin e demokracisë dhe lirisë në SHBA. Selami ky politikan filozof nuk bën pjesë në figurat klienteliste të politikës në përgjithësi dhe PD-së. Ai përfaqëson mendimin demokratik dhe filozofik të liberal demokracisë dhe të djathtës europiane e rajonale.
Formimi intelektual dhe filozofik i Selamit properëndimor dukej qartë në ditët e para të demokracisë. Selami përdorte një gjuhë tjetër për prezantimin e një partie që ishte ndër forcat më të brishta demokratike në ish-lindjen komuniste pa përvojë dhe histori, por që kishte jetuar thellë në aspiratat dhe pavetëdijen tone si komb. Gjuha e Selamit në atë periudhë shqetësonte shumë individë si në PD dhe pushtetarët e ish diktaturës që po përgatiteshin për të lënë pushtetin dhe e urrenin gjuhën e lartë politike të Edit. Imazhi të cilin përcillte Selami në ditët e para të demokracisë tek neve ishte shumë shpresëdhënës dhe kishte të bënte më të ardhmen tonë integruese. Ai siç dukej e parashikonte shumë mirë rrugën e gjatë që do të kalonte demokracia në Shqipëri si rezultat i ndryshimeve gjeopolitike në rajon dhe i balancës të politikës në tregun lindorë dhe perëndimorë dhe ndryshimeve të mëdha. Gjuha e lartë e Selamit dhe fjalori politik, që për kohën bënte diferencën me politikanët e tjerë siç e shkrova më lart, jepte shpresë për një konceptim të ri për politikën tek neve, e që për kohën ishte e parakohshme. Idetë demokratike dhe raportet me politikën në SHBA në gjuhën e Selamit zinin një vend dhe rëndësi të veçantë. Ai e kishte shumë të qartë skemën tonë politike falë edhe studimeve për filozofi dhe politikë në universitet. Formimi intelektual dhe estetik ka ndikuar shumë në idetë politike të Selamit. Këto ide janë të lidhura me teza politike filozofike dhe estetike dhe hipoteza të cilat kanë ndërtuar botën në këto 2000 vjet të ekzistencës së politikës. Selami është një Jurgen Habermas për neve. Habermas i qëndron politikës gjermane gjithmonë filozofikisht në oponencë dhe ndërton politika ekonomike dhe filozofike për të ardhmen, jo vetëm të Gjermanisë por edhe të rajonit. Qëndrimi në SHBA i Selamit dhe profili i tij pro perëndimor janë garanci jo vetëm për PD-në por për të gjithë forcat liberal-demokrate dhe të djathta në Shqipëri dhe Kosovë dhe rajon. Perceptimi i tij për politikën me një mënyrë të veçantë, pavarësisht se humbi në një moment të fillimit, Selami e ruajti grintën e tij, për disa vite, ngeli në politikë me durimin e estetit dhe filozofit. Ai nuk u prononcua në formë vulgare dhe personale për politikën e PD-së, por për programin dhe të ardhmen politike të kësaj force. Prononcimi për ngjarjet e rëndësishme siç ishte anëtarësimi në Nato dhe për nivelin e demokracisë dhe të tregut tek neve vetëm se e forcoi profilin e tij të lartë dhe kuptimin e tij për politikën tek neve dhe në rajon. Selami vjen nga një familje patriotike, qytetare dhe intelektuale nga Jugu, pjesë shumë e rëndësishme e vetëdijes tonë kombëtare. Jugu dhe veriu janë një, dialektet gjuhësore vetëm se e zbukurojnë gjuhën tonë të mrekullueshme, polifonia dhe kënga shkodrane janë një, ndryshon vetëm forma e të shprehurit të emocioneve dhe struktura muzikologjike. Formimi i tij filozofik dhe estetik në kontekstin aktual është i domosdoshëm, në marrëdhënie me zhvillimet demokratike, integruese dhe zhvilluese tonat dhe më tepër për një marrëdhënie rajonale për zhvillim e demokraci. Nëse në planin teorik profesor Artan Fuga, ky intelektual i madh ka punuar shumë për promovimin dhe filozofinë dhe estetikën politike të së djathtës, Eduard Selami është personi pragmatik që i ka të gjitha shanset që ta vejë në jetë dhe ta materializojë në politikën e ditës filozofinë dhe estetikën, në funksion të zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›