E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fut në listë Hafizin dhe Ulqinin: Më kritikuan me etikë

Kryetari i Partisë So cialiste, Edi Rama ka vendosur të rregullojë gabimet e bëra në vitin 2009 me kandidatët për deputetë të opozitës. Pasi i largoi nga funksionet partiake, Rama ka rikthyer dje si kandidatë të sigurt për deputetë, ish-anëtaren e Kryesisë Mimoza Hafizi dhe ishdeputetin e Tiranës, Musa Ulqni. Në një konferencë dhënë dje për mediat, Rama u shpreh në praninë e dy kandidatëve se me ta ka pasur mosmarrëveshje, por sulmet kanë qenë brenda etikës normale. Sipas Ramës, ndryshe nga shumë ish drejtues të tjerë të PS-së, ata nuk u pushtuan kurrë nga mllefi. Hafizi do të jetë kandidate e PS-së në Qarkun e Shkodrës, ndërsa Ulqini do të jetë kandidat në Qarkun e Elbasanit. “Jam shumë i kënaqur që në këtë ditë prezantoj dy pjesëtarë të rinj të skuadrës tonë kombëtare të Rilindjes, por që vijnë nga rrugëtim i kahershëm politik dhe nga një fazë e jetës politike me lëkundje, për shkak të zgjedhjeve të bëra në vitin 2009”, u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Ulqini është një socialist 24 karatësh. “Përfshirja në skuadrën tonë e Musa Ulqinit, nuk është thjesht një reflektimi për një socialist 24 karatë si Musai, me të cilin politika na njohur dhe na bëri miq, si rrallë herë ndodh të të bëjë politika dhe na ndau përkohësisht, kur Musai nuk u bë pjesë e listës fituese të deputetëve në vitin 2009”, tha Rama. Ai shtoi se ky është momenti për të vlerësuar kontributin që ka dhënë Musai për PS-në. Duke folur për ish-deputetin dhe ish-kreun e PS-së së Tiranës, Rama shtoi se “edhe pse u ndje i ngrënë në hakun e vet, nuk u gremis në sedrën vetiake, por pavarsisht kësaj punoi për PS-në”. Të njëjtat vlerësime Rama ka dhënë dhe për Mimoza Hafizin, duke u shprehur se kritikat që ajo ka bërë në adresë të tij kanë qenë parimore dhe me etikë. “Mimoza zgjodhi të rrinte në PS. Jo me mllef por me arsyet e veta mu kundërvu pa e shkelur asnjë herë etikën, pa e lanë asnjë herë bosh vendin në PS, në raport me njerëzit e kësaj familje”, u shpreh kreu i PS-së. Partia Socialiste ka prezantuar deri më sot 7 kandidatura. Fillimisht Rama prezantoi Alfred Pezën në Elbasan, Parid Teferiçin në Kavajë, Vexhi Muçmatën në Kukës, Ilirian Celibashin në Fier, Evis Kushin në Elbasan. Pritet që gjatë ditëve të fundit, Rama të prezantoj dhe disa kandidatë për deputetë, ndërsa zyrtare e deputetëve do të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më datën 6 maj. Dy ditë më parë, Rama paralajmëroi ndryshime të mëdha në përbërjen e grupit aktual të deputetëve. Ndërsa kërkoi dhe mirëkuptimin e deputetëve aktuale që nuk do të jenë në listat fituese gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›